Ndërtuan pa leje, procedohen penalisht 6 shtetas në Tepelenë dhe Tropojë

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Gjashtë shtetas në Tepelenë dhe Tropojë u proceduan penalisht nga Policia e Shtetit, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, gjatë kontrollit të territorit në fshatrat Gusmar dhe Majkosh, kanë konstatuar ndërtimin e dy objekteve pa leje.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë proceduan penalisht për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, shtetasit:
F. B., 58 vjeçe, banuese në fshatin Gusmar dhe I. B., 50 vjeç, banues në Tepelenë, pronarë të objekteve ku po kryheshin punimet dhe E. B., 30 vjeç, banues në Përmet dhe P. J., 33 vjeç, banues në Memaliaj (punëtorë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Ndërsa në Tropojë u proceduan në gjendje të lirë 4 shtetas për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe ” Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për kontrollin e territorit, për zënien e hapësirave publike dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, kanë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, konkretisht: U. H., banues në fshatin Gri dhe R.B., banues në fshatin Markaj, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi në fshati Gri dhe Markaj, këta dy shtetas janë konstatuar duke vijuar ndërtimin e një banesë, pa leje të organeve përkatëse.
Po ashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit P. K., banues në Tiranë, dhe F. Rr, banues në fshatin Begaj, për veprën penale “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, pasi ishin përgjegjës për kryerjen e punimeve në fshatrat Gri dhe Markaj.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale ” Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.