Miratohet Akti Normativ/ Shqipëria siguron të tjera doza të vaksinës Pfizer

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot Aktin Normativ për blerjen e dozave të tjera të vaksinës Pfizer.

“Këshilli i Ministrave vendosi miratimin marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin. Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Overseas LLC, nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit të qeverisë, të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.

Po ashtu në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për kryerjen nga Instituti i Shëndetit Publik të pagesës së dozave të vaksinave antikovid, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik, dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”, A.Ş.

“Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, për Institutin e Shëndetit Publik i shtohet ekuivalenti në lekë (sipas kursit zyrtar të këmbimit në datën e pagesës) i shumës 10 000 000 (dhjetë milionë) USD, të pagesës së dozave të vaksinave antikovid, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjen, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik, dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”, A.Ş”, thuhet në vendim.

Fondi përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer 850 mijë vaksinime antikovid në vend, ndërsa deri sot Shqipëria ka administruar 967 mijë është vaksina në total.

Procesi i vaksinimit masiv po vijon në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për qytetarët +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.