Ministria e Drejtësisë, bashkëpunim me pushtetin vendor për garantimin e ndihmës juridike falas

TIRANË, 16 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministria e Drejtësisë vazhdon bashkëpunimin me qeverisjen vendore për garantimin e ndihmës juridike falas.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila shprehet se “në përmbushje të misionit të Ministrisë së Drejtësisë, garantimit të aksesit në drejtësi për të gjithë qytetarët, së bashku me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me organet e qeverisjes së nivelit qendror dhe lokal në Shqipëri”.

“Në këtë kuadër, kemi vijuar me fushatën e promovimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit për qytetarët në lidhje me sistemin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti. Vendosja e posterave në zyrat e shtetërore të administratës lokale dhe asaj qendrore, do të mundësojnë informimin e të gjithë qytetarëve në rreth ndihmës juridike falas”, tha ajo.

Gjatë këtyre viteve është arritur mbi 90 % mbulim të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë me qendra për ofrimin e Ndihmës Juridike falas, bashkëpunim i ngushtë me autoritetet vendore, 10 klinika të ligjit pranë universiteteve shtetërore dhe private ofrojnë shërbim, 12 marrëveshje me OJF janë në zbatim, 10 Qendra të Ndihmës Ligjore janë funksionale, 29 marrëveshje me Gjykatat në Shqipëri për akses të shtuar të qytetarëve janë në zbatim.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.