Mineralet kryesojnë eksportet, 1/3 shkojnë drejt Spanjës

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Eksportet shqiptare, kryesisht drejt tregjeve europiane, njohën rritje me gati 40 % përgjatë 5 muajve të parë të këtij viti, ndërsa peshën më të lartë e mbajti grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike shënuan rritje me 18,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa në vlerë ato llogariten 24,7 miliardë lekë nga 15,5 miliardë lekë që ishin në 5-mujorin e 2019-ës.

Referuar INSTAT, gati 1/3 e eksporteve të mineraleve shkuan drejt Spanjës. Në vlerë eksportet e mineraleve drejt Spanjës llogariten 8,6 miliardë lekë.

Rritja në vlerë e eksporteve të mineraleve u diktua jo vetëm nga shtimi i sasisë së eksportuar, por edhe nga rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat e mbledhura në buxhet përmes rentës minerare nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 197.8 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me 13.2 % krahasuar me 5-mujorin e vitit 2020 dhe rritjes së çmimit të mineraleve.

Nga rritja e sasisë u arkëtuan 21 milionë lekë më shumë në buxhet, ndërsa nga rritja e çmimit u mblodhën 18 milionë lekë më shumë në buxhet. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.