Kryenegociatori Mazi, takime në Kroaci: Mbështetje për Konferencën Ndërqeveritare me BE-në

TIRANË, 16 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryenegociatori i Republikës së Shqipërisë për integrimin ne BE, ambasadori Zef Mazi, vazhdon takimet në kryeqytetet e vendeve të BE-së.

Mazi u prit sot në takim në Zagreb, Kroaci, nga Sekretarja e Shtetit për Europën, Andreja Metelko-Zgombic, nga këshilltari parësor i kryeministrit të Kroacisë dhe ish-kryenegociator i Kroacisë deri në hyrjen e Kroacisë në BE, ambasador Vladimir Drobnjak, nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë dhe Administratës Publike, Josip Salapic.

Mikpritësit kroatë njohën dhe përgëzuan për progresin e madh që ka bërë Shqipëria në gjithë fushat e reformës dhe për plotësimin e gjithë kërkesave për mbajtjen e Konferencës të parë Ndërqeveritare.

Ata u shprehën optimistë se do ketë lajme të mira në vijim. Kryenegociatorin Mazi njohu bashkëbiseduesit me gamën e gjerë intensive të përgatitjeve dhe reformave, për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për vazhdimin e tyre pa ulje ritmi dhe pa asnjë ngadalësim, sepse është në të mirën e vendit dhe popullit tonë.

Kryenegociatori Mazi zbërtheu një numër fushash ku do ishte e mirëpritur mbështetja dhe asistenca kroate.

Mikpritësit kroatë shprehën gatishmërinë e plotë dhe e siguruan Kryenegociatorin për mbështetjen e plotë të Kroacisë për avancimin e Shqipërise drejt BE me mbajtjen e Konferencës dhe fillimin e bisedimeve teknike për kapitujt e korpusit ligjor të BE.

Ata nënvizuan se mbështetja e Kroacisë ka qenë e palëkundur dhe e tillë do jetë në vijimësi. U shkëmbyen shumë mendime për vijimin e bashkëpunimit dhe asistencës specifike për fusha të ndryshme dhe konkrete, ku Kroacia ka përvojë direkte mjaft të mirë.

Bashkëbiseduesit u shprehën të gatshëm ta ndajnë këtë përvojë me Shqipërinë menjëherë.

Kryenegociatori Mazi siguroi se Shqipëria është tërësisht e mobilizuar të vijojë pa ngadalësim reformat në shumë fusha. Kjo është në të mirën e vendit tonë. Shqipëria me plotësimin e të gjitha kërkesave të Këshillit Europian të marsit 2020, me meritën e punës së saj, pret vendim pozitiv për datën e uljes në tryeze. Merita është parimi bazë i pandryshuar i BE për vlerësimin e vendeve kandidate.

Kryenegociatori Mazi pati takim edhe me Ermina Prljaskaj, deputete në parlamentin kroat dhe anëtare e disa komisioneve kyçe parlamentare.

Kryenegociatori Mazi dha intervistë për televizionin kroat. Ai do takohet edhe me ambasadorin Neven Pelicaric, këshilltar diplomatik i Presidentit të Kroacisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.