Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar

TIRANË, 16 qershor /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi projektligjin “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të dhënë sqarime dhe përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishte Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë dhe Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Projektligji është miratuar parimisht në shkurt të vitit 2021 dhe në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të tij.

Relatori i projektligjit Alket Hyseni sqaroi ndër të tjera se nisma është një risi në legjislacionin e brendshëm të Republikës së Shqipërisë dhe synon zgjidhjen e disa problemeve ligjore me të cilat është ndeshur në praktikë ky shërbim si: përcaktimi i kushteve të licencimit; kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimi i përkthyesve sipas fushave të tyre të përgjegjësisë; të drejtat dhe detyrimet e përkthyesit gjatë veprimtarisë së tyre; njohja ligjërisht e punës së përkthyesit duke pranuar dokumentin e përkthyer prej tij si zyrtar dhe jo të certifikuar nga një hallkë tjetër institucionale.

Pas pyetjeve, diskutimeve dhe sugjerimeve të ndryshme për riformulimin e neneve të caktuara, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.

Gjonaj: Adreson edhe licencimin e interpretëve të gjuhës së shenjave

Pas miratimit në komisionin e çështjeve ligjore të projektligji “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, ministrja e e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se bëhet fjalë për një projektligj i cili hartohet për herë të parë, duke shërbyer si kuadër rregullator për funksionimin e shërbimit të përkthimit zyrtar dhe duke përcaktuar me kujdes kriteret e licencimit dhe funksionimit të profesionit të përkthyesit zyrtar.

“Në këtë projektligj është adresuar një çështje që nuk ka patur një rregullim të mëparshëm në këtë fushë, e cila vlerësohet si një domosdoshmëri dhe prioritet jo vetëm në fushën e përkthimit, por dhe të trajtimit të kategorisë që ajo përfaqëson, ajo e licencimit të interpretëve të gjuhës së shenjave. Ky rregullim do t’i shërbejë të gjithë grupit të personave që nuk dëgjojnë”, tha ajo.
Sipas Gjonajt, Ministria e Drejtësisë jo vetëm e ka hartuar bashkërisht me një grup pune me ekspertë dhe pedagogë të fushës, por ka kryer edhe një proces të gjatë konsultimi me të gjithë grupet e interesit.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.