KOMENT – Biden dhe Putin takim delikat për rigjallërimin e marrëdhënieve

GJENEVË, 16 qershor /ATSH-DPA/ – Me marrëdhëniet midis vendeve të tyre në një pikë të ulët, presidenti i SHBA, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin do të takohen sot për të diskutuar vijat e kuqe dhe interesat e përbashkëta, ndërkohë që Uashingtoni po kërkon rifreskimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të mëdha pas epokës Trump.

”Takimi i shumëpritur në Gjenevë do të nisë pasdite dhe do të zgjasë katër deri në pesë orë”, sipas të dy palëve.

Sidoqoftë, Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë janë përpjekur të zbusin pritjet në lidhje me takimin dhe të dy udhëheqësit do të paraqiten para kamerave veçmas pas takimit, gjatë të cilit nuk është planifikuar ndonjë drekë apo darkë e përbashkët.

Takimi vjen në fund të udhëtimit të parë të Biden jashtë vendit si president i SHBA në Europë, gjatë të cilit ditët e fundit ai është këshilluar me aleatët e G7-s, NATO-s dhe Bashkimit Europian.

“Unë do t’ia bëj të qartë presidentit Putin se ka fusha ku ne mund të bashkëpunojmë nëse ai dëshiron”, tha Biden.

Biden gjithashtu tha se ai do të kritikojë përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut në Rusi si dhe rolin e saj në sulmet kibernetike në objektet e SHBA dhe ndërhyrjen në zgjedhje.

Sipas Kremlinit, Putini dhe Biden duan të sqarojnë çështjet kryesore në bashkëpunimin dypalësh.

”Marrëdhëniet janë në një gjendje të pakënaqshme dhe në shumë fusha nuk ka më asnjë kontakt”, sipas Kremlinit.

”Sanksionet e SHBA kundër Rusisë janë vendosur 96 herë që nga viti 2011, përfshirë tre herë nën presidencën Biden”, shtoi deklarata e Kremlinit./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.