Holanda mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE”/ Rama: Tjetër lajm i mirë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Parlamenti holandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim.

Ndërsa ndau këtë lajm të mirë, Kryeministri Edi Rama kujtoi se “jua kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan, Shqipëria u zhbllokua”.

“Sidoqoftë faleminderit me mirënjohje se s’ka kohë për pushim”, tha Rama.

Ambasada holandeze në Tiranë njoftoi sot se “shumica e parlamentit të Holandës ra sot dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator”.

“Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare. Qeveria holandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Ndërqeveritare, si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Holandës në Tiranë.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.