Gjirokastër/ Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, në pranga 2 persona

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Policia Kufitare Gjirokastër goditi sot dy raste të tjera të tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX-it dhe DVP Gjirokastër, u vunë në pranga 2 persona që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit dhe u sekuestruan dy automjete dhe dy aparate celularë.
Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë dhe shërbimet e FRONTEX-it, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 30 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Ky shtetas u kap në afërsi të fshatit Bulo, duke transportuar me automjetin tip “Opel Corsa”, 11 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 33 vjeç, banues në Sarandë, i cili u kap në afërsi të fshatit Kakavijë, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy aparate celularë.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
/m.m/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.