Fiskalizimi/ Për transaksionet biznes-biznes nis prej 1 korrikut

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Faza e parë e zbatimit të reformës së Fiskalizimit, që ka nisur prej 1 janarit të këtij viti, për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike vetëm me faturë elektronike, ka pasur një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi sot një nga bizneset që është përfshirë në këtë fazë të parë të kësaj reforme.

Bar “Paradiso” është një nga subjektet që e ka nisur më herët zbatimin e procesit të Fiskalizimit sesa afati i përcaktuar me ligj dhe përdor zgjidhjet softuerike.

Denaj bëri të ditur se, “së bashku me Administratën Tatimore do të vijojmë të mbështesim biznesin për zbatimin e plotë të kësaj reforme të rëndësishme”.

“Për transaksionet biznes-biznes zbatimi i Fiskalizimit nis prej 1 korrikut dhe nga 1 shtatori për ato biznes-konsumator”, theksoi Denaj.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Denaj u shpreh se Fiskalizimi është një mënyrë e re e të menaxhuarit të të dhënave tatimore i cili është në përmirësim të vazhdueshëm, me qëllim finalizimin me sukses të kësaj reforme të nisur.

Sipas statistikave zyrtare, deri më tani janë fiskalizuar mbi 4500 subjekte dhe janë lëshuar në total mbi 2 milionë fatura të fiskalizuara për transaksione me dhe pa para në dorë.

Procesi i Fiskalizimit pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.