Fier/ Kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim, për armë dhe lëndë narkotike

TIRANË, 16 qershor /ATSH/  Një 27-vjeçar, person me precedentë kriminalë në fushën e krimeve kundër jetës, drogës e armëmbajtjes pa leje u arrestua nga policia e Fierit.
Sipas policisë, I.H, 27 vjeç u arrestua pas kontrolleve të befasishme nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe strukturat e DVP Fier në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.
Si rezultat i kontrollit në lagjen “Fermë-Çlirim”, në ambientet e një lokali, gjatë kontrollit të zhvilluar nga Renea, 27-vjeçari sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë.
Gjatë këqyrjes së çantës, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj armën e zjarrit pistoletë me dy karikatorë me fishekë luftarakë dhe kartën e identitetit të 27-vjeçarit.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit I. H. (K.), për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme./k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.