Eksportet e mallrave u rritën me 52.7 % në maj, arritën vlerën 33 miliardë lekë

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje të fortë në muajin maj të këtij viti.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në maj 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 miliardë lekë, duke u rritur me 52,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 14,5 %, në krahasim me prill 2021.

Edhe në krahasim me majin 2019, eksportet janë në rritje me 18.4 %, duke i arritur dhe tejkaluar me shpejtësi nivelet e para krizës.

Për 5-mujorin, eksportet u rritën me 38.6 % me bazë vjetore, duke arritur në 141.8 miliardë lekë. Edhe në raport me 5-mujorin 2019, tendenca është sërish në zgjerim, me 11.8 %.

Sipas INSTAT bën të ditur se rritje të eksporteve kanë shënuar përgjithësisht të gjitha grupet, duke i tejkaluar nivelet e para krizës. Ecurinë më të mirë po e shënojnë eksportet e metaleve, si rrjedhojë e kërkesës së fortë dhe shtrenjtimi të ndjeshëm të çmimeve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.