Dita e Remitancave/ Majko: Të krijojmë modele për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko kërkoi sot që të ndërtohen modele të dobishme lidhur me remitancat, pasi ato tejkalojnë dhe investimet e huaja në vend.

Në Tiranë u mbajt sot një takim në Ditën Ndërkombëtare të Remitancave, ku u vlerësua ky kontribut në ekonomi, mirëmenaxhimi i remitancave në dobi të familjeve të vendit, si edhe formalizimi i kanaleve të dërgimit të tyre në atdhe, objektiva kryesore këto dhe të Strategjisë Kombëtare të Diasporës.

Në fjalën e tij, ministri Majko vlerësoi rëndësinë e këtij takimi. “Ajo që dëshiroj të nënvizoj është tema e remitancave që deri tani është konsideruar si një e ardhur dhe vetëm kaq. Modelet e dobishme që po shohim në shumë vende të botës tregojnë se bëhet fjalë për një alfabet të ri ekonomik kur flitet për remitancat. Aktualisht për Republikën e Shqipërisë përfaqësojnë të ardhurën më të madhe që shteti shqiptar merr. Ato tejkalojnë dhe investimet e huaja apo investime të natyrave të tjera të brendshme. Bëhet fjalë për një të ardhur që shkon në kufijtë e 1 miliard dollarëve”, tha Majko.

Ai vlerësoi faktin se “BSH me INSTAT ka disa vjet që ka futur në konceptin e raportimit vjetor çështjen e diasporës”.

“Çështja e remitancave, angazhimi për to është ende në hapat e parë. Mendoj se jemi vonë po duke thënë këtë nuk përbën justifikim, po nxitje për të ecur më shpejt në trajtimin e të ardhurës më të madhe që zotëron sot kombi shqiptar dhe që quhet remitancë, dhe nuk kam fjalën vetme për shtetin shqiptar po dhe nivelin e lartë të migrimit në territore shqiptare jo vetëm në Shqipëri, por në Mal të Zi, Kosovë, Preshevë, Maqedoni”, tha Majko.

Ai theksoi se “ky përbën një moment tepër delikat që ka nevojë të diskutohet. Nënvizoj se në një nga marrëveshjet që është firmosur mes Repubikës së Shqipërisë dhe Kosovës është vendosur dhe një pikë për ngritjen e Bankës së Diasporës si angazhim i përbashkët, por janë projekte të së ardhmes. E rëndësishme është se zëri i profesionistëve vlen të dëgjohet më shumë se zëri i politikës dhe ne kemi nevojë për zërin e profesionistëve për t’u ballafaquar më sfidat kryesore ku nuk diskutohet mungesa e financave, por mënyra e menaxhimit të tyre”.

Ai informoi se “aktualisht remitancat përdoren vetëm për ndërtim, arsim dhe shëndetësi, në një kohë që shumë shtete të tjerë që kanë qenë në kushte të Shqipërisë kanë ndërtuar modele që i kanë dhënë hov zhvillimit ekonomik të vendit duke e kthyer nga marrës të remitancave në të kundërt”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.