Çelet panairi online i Punës dhe Aftësive/ Denaj: Arsimi profesional është e ardhmja

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Për herë të parë u zhvillua sot Panairi Online i Punës dhe Aftësive.

100 stenda virtuale prezantojnë ofertën e tyre të punësimit në fusha, si: Telekomunikacion; Banka; Hoteleri-Turizëm; Shitjet me pakicë; Call Center, etj.

Më shumë se 2500 vende të lira pune, praktika profesionale, bursa studimi, orientim e udhëzim në karrierë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, përshëndeti organizimin e këtij eventi të rëndësishëm, teksa theksoi se, “ky panair ka sjellë ndër vite në një tryezë interesin e bizneseve për të rekrutuar punonjës të rinj, dhe dëshirën e të rinjve për të marrë pjesë, në rekrutimet e kompanive shqiptare dhe për të rritur vlerën e tyre”.

“MFE ka punuar gjatë gjithë këtyre viteve, brenda mandatit të parë dhe të dytë për të përmirësuar cilësinë e aftësisë në punë dhe nëpërmjet ligjit të punësimit në vitin 2019, kemi realizuar që Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësisë, të mundësojë një përafrimin të legjislacionit me atë të BE-së. Mbi të gjitha të ndihmojë të rinjtë dhe të rejat të bëhen më të aftë për tregun e punës, nëpërmjet arsimimit në shkollat profesionale dhe kurseve profesionale”, tha Denaj.

Në këtë proces, vijoi ministrja, një ndihmë të veçantë na kanë dhënë, partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Gjej rastin t’i falënderoj përfaqësuesit e GIZ që marrin pjesë në këtë panair, pasi kanë qenë partnerë të rëndësishëm, jo vetëm në përgatitjen e legjislacionit por edhe në shumë hapa të tjerë të cilët lidhen në mënyrë të padiskutuar me trajnimet dhe kurrikulat dhe mbi të gjitha për të nxitur të gjithë të rinjtë dhe të rejat, të cilët kanë dëshirë të punojnë në Shqipëri, kanë dëshirë të rrisin vlerën e tyre të aftësive nëpërmjet një punësimi dinjitoz i cili vlen”, u shpreh Denaj.

Denaj theksoi se, “arsimi profesional është e ardhmja në Shqipëri për të rritur cilësinë, vlerën e punës dhe për të arritur në atë perspektivë të zhvillimit që kërkon Shqipëria dhe objektivi ynë drejt integrimit europian”.

Panairi Online i Punës dhe Aftësive, zhvillohet nga GIZ, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, në kuadër të programit global “Migracion për Zhvillim”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.