BRUKSEL – BE 20 miliardë euro për financimin e planit europian të rimëkëmbjes

BRUKSEL, 16 qershor /ATSH-AFP/ – Brukseli ka arritur të sigurojë 20 miliardë euro në tregjet financiare për të filluar financimin e planit europian të rimëkëmbjes prej rreth 700 miliardë eurosh, i destinuar për të kapërcyer pasojat ekonomike nga pandemia.

“Sot, ne kemi kryer me sukses operacionin e parë të emetimit të obligacioneve për të financuar planin NextGenerationEU”, njoftoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Komisioni ka siguruar 20 miliardë euro në tregjet financiare nëpërmjet një obligacioni 10-vjeçar. Ky është operacioni më i madh i këtij lloji, i realizuar ndonjëherë në Europë”, konfirmoi ajo.

Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Europian kishin përfunduar në fund të muajin maj procesin e ratifikimit të vendimit, që i autorizon të marrin borxh së bashku.

Kjo etapë ka mundësuar për Komisionin të nisë operacionin e tij në tregje për të filluar financimin e 672 miliardë eurove në subvencione dhe kredi për vendet anëtare, parashikuar në kuadër të “NextGenerationEU”.

Operacioni ka ngjallur një interes shumë të fortë tek një panel i gjerë investitorësh. Kërkesa për obligacionet europiane ka qenë shtatë herë më e lartë se oferta, duke mundësuar marrjen e një tarife tërheqëse”, theksoi Von der Leyen.

“Komisioni do të paguajë të paktën 0,1% të interesave të këtyre obligacioneve”, theksoi ajo.

Deri në fund të vitit, Brukseli parashikon të emetojë një total prej 100 milionë euro obligacione./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.