“Bregdeti ynë”/ Nis operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje edhe në Shëngjin

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia e Shtetit kanë nisur shembjen e ndërtimeve pa leje edhe në Shëngjin, Lezhë, për t’u zhvendosur më pas përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, theksoi sot se “çdo objekt apo strukturë e ngritur pa leje do të shkulet nga territori dhe hapësirat e zaptuara do t’i rikthehen qytetarëve”.

“Nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit ligjor kushdo që ka guxuar të ndërtojë pa leje dhe sigurisht as ata nga radhët e institucioneve shtetërore që kanë mbyllur sytë përballë paligjshmërisë”, tha Çuçi.

Operacioni “Bregdeti ynë” nisi në 7 qershor në Velipojë dhe Ksamil për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare. Në zonën e Velipojës janë planifikuar të prishen rreth 15 objekte të tilla, ndërsa në Ksamil rreth 30.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.