Bashkia Tiranë rikonstrukton pallatet e dëmtuara nga tërmeti në njësinë 8, Veliaj: Çdo ditë e orë, puna vazhdon


TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Falë rikonstruksionit të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, sot komunitetet e prekura në kryeqytet jetojnë në ambiente shumë herë më të mira se më parë.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka publikuar pamjet nga një prej pallateve në kryeqytet në njësinë Nr. 8 që pësoi dëme nga tërmeti, por falë programit të rindërtimit, ai është rikonstruktuar duke përmirësuar jetën e banorëve.

“Pallatet te Njësia 8 dolën në dritë! Falë rikonstruksionit të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, sot komuniteti jeton në një ambient më të bukur e më të pastër. Çdo ditë e orë, puna vazhdon”, shprehet Veliaj.

Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, Bashkia e Tiranës nisi dhënien e bonusit të qirasë për familjet e prekura dhe që i përkisnin kategorive DS4 dhe DS5, ndërkohë që për kategoritë DS1, DS2 dhe DS3 financoi rehabilitimin e dëmeve nga vetë pronarët e banesave. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.