Ankandi i obligacioneve 7-vjeçare/ Shiten 4.5 miliardë lekë

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Banka e Shqipërisë, zhvilloi këtë javë ankandin për shitjen e obligacioneve 7-vjeçare, ku u paraqitën kërkesa me një vlerë totale prej afro 5.6 miliardë lekësh, nga 4.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim.

Interesi ose kuponi i obligacioneve ishte i njëjtë me atë të ankandit fillestar të zhvilluar në muajin mars, në nivelin 4.25 %. Ky kupon është lehtësisht më i ulët krahasuar me nivelin 4.38 % të ankandit të mëparshëm, që ishte mbajtur në shtator 2020.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për tremujorin e parë të këtij viti blerjet e obligacioneve në tregun primar nga individët arritën në 2.73 miliardë lekë ose rreth 22 milionë euro.

Statistikat tregojnë se investimet e individëve në këto instrumente u rritën me 25.2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.