Anëtarët e këshillit bashkiak të Vlorës kërkojnë mbledhje jashtë radhe në teatrin “Petro Marko”

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Anëtarët e këshillit bashkiak Vlorë kanë kërkuar mbledhje jashtë radhe të këshillit, ndërsa shprehin indinjatën për ngjarjen e paprecedent të ndodhur më 15 qershor, ku sipas tyre, “në shkelje të plotë të ligjit u penguan për të ushtruar detyrën si të zgjedhur vendorë të qytetarëve të Vlorës”.

Në një kërkesë drejtuar kryetares së këshillit bashkiak, Migena Balla, anëtarët shprehen se “kërkojmë realizimin jashtë radhe të mbledhjes së këshillit në 22 qershor, ora 10:00, me prezencë fizike në sallën e teatrit “Petro Marko””.

Mbledhja, sipas kërkesës do të zhvillohet me këtë rend dite: Transparencë mbi vendimet e marra dhe urdhëruesit e pengimit të këshillit bashkiak për kryerjen e detyrës së tij në mbledhjen e parashikuar për t’u zhvilluar në datën 15 qershor, dalja e përgjegjësisë për personat që penguan zhvillimin e mbledhjes dhe tejkaluan kompetencat ligjore. Pika e dytë e rendit të ditës është raportimi i kryetarit të bashkisë në lidhje me shqetësimin e komunitetit vlonjat për gjendjen e shërbimeve vendore, situatën e shërbimeve bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.

Duke sqaruar situatën e ndodhur një ditë më parë, anëtarët shprehen se “kryetari i bashkisë në përgjigjen e tij ka tejkaluar në mënyrë flagrante kompetencat ligjore pasi i përcakton këshilli i bashkisë jo vetëm datën, por edhe vendin e zhvillimit të saj.
Vendimi i këshillit për mbledhjen me prezencë fizike të këshilltarëve në sallën e teatrit “Petro Marko” në ora 10:00 ishte edhe në respektim të plotë të masave antikovid. Referenca ligjore e cituar në korrespondencën e kryetarit të bashkisë është përdorur qëllimisht për të refuzuar ballafaqimin me këshilltarët”.

“Sikurse dihet publikisht, por edhe zyrtarisht që në datën 27 maj, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka prezantuar planin e masave lehtësuese pas përmirësimit e situatës epidemiologjike. Stafi teknik i këshillit kishte marrë masat për të garantuar distancën fizike dhe respektimin e rregullave antikovid për të ruajtur edhe shëndetin e kryetarit të bashkisë. Përveçse nuk u paraqit në mbledhjen e përcaktuar në 15 qershor në sallën “Petro Marko”, kryetari i bashkisë pengoi me forcë këshilltarët duke kyçur dyert e institucionit në të cilin zhvillohej mbledhja. Teatri është pronë e bashkisë dhe e drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, bazuar në nenin 9 të lighut 139/2015 germa c”, thuhet në kërkesën e anëtarëve të këshillit bashkiak.

Më tej, anëtarët shprehen se “në gjykimin tonë, thuhet më tej në kërkesë, veprimet e kryera janë në shkelje të përcaktimeve ligjore, cenojnë rëndë një prej parimeve kryesore të demokracisë, ushtrimin e detyrës dhe të drejtës së të zgjedhurve nga qytetarët”.

Mbledhja e këshillit bashkiak të Vlorës, e parashikuar të mbahej dje, 15 qershor, nuk u zhvillua, pasi kryebashkiaku Dritan Leli pretendoi se duhet të mbahej online dhe jo në sallën e teatrit “Petro Marko”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.