Agroturizmi shqiptar/ “Shporta e Reçit” në Malësinë e Madhe, pjesë e aplikacionit AgroTimeAL


TIRANË, 16 qershor /ATSH/ “Shporta e Reçit” është një fermë agroturistike e ndërtuar në zonën e Reçit të Malësisë së Madhe. Ajo gjendet tashmë në aplikacionin “AgroTime AL”  dhe përbën një ndalesë të këndshme dhe atraktive, për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë zonën e veriut të Shqipërisë.

Restoranti ndodhet afër Pyllit të Gështenjave me sipërfaqe rreth 400 ha dhe ka menu me produkte tipike të zonës së Malësisë, ku mbizotërojnë kryesisht produktet e mishit (ferliku).

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, u ndal sot në këtë bujtinë ku shpjegoi mbi mundësitë që ofron ferma agroturistike, për vizitorët dhe turistët, ndërsa ka përfituar mbështetje nga Skema Kombëtare për t’u zhvilluar në aktivitetin e saj.

“Nga aty, mund të vizitohen shumë objekte turistike, siç janë: Kalaja e Ballexës, Shpella e Pëllumbave, Sheu i Rrjollit, Kisha e vjetër e Prelnikajve, Puset e vjetra (Krenxa) etj. Restoranti merr produkte nga inkubatori i përpunimit të produkteve lokale i cili është i vizitueshëm gjatë sezonit të përpunimit të gështenjave dhe të bimëve mjekësore”, shprehet Ekonomi.

Gjithashtu, vuri në dukje Ekonomi, restoranti ka në afërsi dhe baxhon e fshatit, nga ku merr të gjithë bulmetin që i nevojitet për nevojat e tij.

Në këtë fermë punojnë 60-70 banorë. Gjatë bashkëbisedimit me Armandon, administratorin e fermës, ministrja u njoh se në të turistët mund të vizitojnë baxhon dhe të shohin të gjitha përpunimet e qumështit dhe nënproduktet që fitohen prej tij.

Për nxitjen e agroturizmit si një nga drejtimet kryesore të zhvillimit rural, dhe rivitalizimin e zonave rurale malore nga migracioni, qeveria ofron mbështetje financiare, ndërsa ka ulur TVSH në nivelin 6 %, për këdo që ngre bujtina agro.

Gjithashtu përmes programeve të financimit siç janë, Skema Kombëtare dhe programi IPARD, qeveria jep 5 mijë euro për këdo që rikthehet nga emigracioni dhe hap shtëpinë e vjetër të gjyshit apo babait, për ta kthyer në një bujtinë, për të ndërtuar një agroturizëm me produktet e zonës. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.