Urës Vajgurore i rikthehet përfundimisht emri historik/ Dimali, destinacion i turizmit kulturor dhe natyror

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Në ditën e pagëzimit të bashkisë nga Ura Vajgurore në bashkia Dimal u shpalos programi i turizmit dhe investimet që do të bëhen në këtë bashki.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetarja e bashkisë Dimal, Juliana Memaj, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe deputetë të zonës.

“Ndryshimi i emërtimit të bashkisë është një prej elementëve kryesorë të planit strategjik të zhvillimit. Ne do të vazhdojmë me sfidat e reja, atë të rijetësimit të Dimalit dhe pranimin e produktit sezonal. Për të gjithë ata bashkëqytetarë që janë mërzitur pak për dy muralet e mrekullueshme të qytetit sepse projekti i ri i jetësimit të fasadave të qytetit do t’i zhduk ato për pak muaj ne do ti rikthejmë ato përsëri me artin e dashurisë”, – tha kryebashkiakja Memaj.

Sipas saj, një Dimal tjetër do të zhvillohet nga të rinjtë e këtij qyteti dhe për të rinjtë e këtij qyteti.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se, “do na duhet shumë që ta transformojmë këtë qytet që ka kaq shumë djem dhe vajza, të cilët duhet të kuptojnë që këtu e kanë jetën këtu do e ndërtojnë jetën e tyre”.

“Shumë faleminderit Juli për këtë që ke bërë për këtë qytet, një qytet që është transformuar krejtësisht, por që ka shumë nevojë të hapen më shumë vende pune, të sigurojë më shumë mirëqënie. Natyrisht të jetë një qytet më i fortë”, theksoi Klosi.

“Prandaj ju premtojmë që Dimalin do të duhet që të gjithë së bashku ta promovojmë ta forcojmë dhe ta çojmë aty ku e ka vendin”, deklaroi ministri Klosi.

Klosi dhe Memaj përuruan edhe instalacionin e ri të qytetit “I love Dimal”.

Gjashtë vitet e fundit, bashkia Dimal ka njohur një sërë investimesh, ku një nga më madhorët ka qenë dhe rijetësimi i qendrës së qytetit, duke e kthyer atë në një atraksion turistik. Pas përurimit të statujës “Djaloshi i Dimalit” në Urën Vajgurore, simbol ky i këtij qyteti, u bë i mundur dhe rehabilitimi i qendrës së qytetit. Muralet e artistëve të njohur vendas, por dhe nga bota i kanë dhënë ngjyra qytezës së vogël duke rritur numrin e turistëve të huaj dhe duke hapur një perspektivë të re zhvillimi.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.