“Teste të shpejta antikovid në qendrat shëndetësore verore”/ Rakacolli: Përhapja javore ka rënë ndjeshëm, zbatoni masat

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli u shpreh sot se situata po i rikthehet normalitetit megjithëse bën thirrje për kujdes dhe respektim masash, pasi pandemia ende nuk ka përfunduar.

E pyetur në një intervistë televizive për masat e reja antikovid që hyjnë sot në fuqi, Rakacolli tha se, “sot kanë hyrë në fuqi masat sipas parashikimeve që kishte bërë Komiteti Teknik i Ekspertëve, gjithmonë duke u bazuar në qëndrueshmërinë e rezultateve të situatës epidemiologjike dhe që vetë shifrat e treguan që kishte qenë një parashikim i drejtë”.

“Që prej sot ndryshon ajo masa rekomandimi për të qenë vetëm 10 veta, mund të kalojë në 50 veta. Kjo natyrisht çon në një shoqërizim më të madh të njerëzve dhe në organizim aktivitetesh. Por të mos harrojmë faktin që muzika vazhdon të mbetet e kufizuar. Pra vazhdon të mbetet në fuqi ora policore, nga ora 00:23 e mbrëmjes deri në orën 06:00. Për këtë arsye të gjitha këto evente duhet që të organizohen brenda kësaj fashe kohore”, tha Rakacolli.

Sa i takon shifrave Rakacolli u shpreh se, “aty janë ato shifra të cilat ne i raportojmë çdo ditë. Ne jemi përpara faktit që përhapja javore ka rënë ndjeshëm. Kjo gjë është reflektuar edhe në numrin e të shtruarve në spital. Kjo është reflektuar edhe në numrin e rasteve aktive në Shqipëri. Mjafton të themi që tashmë në të gjithë Shqipërinë ka më pak se 150 veta që e vuajnë në këtë kohë virusin. Në një kohë që numri i të shtruarve në spital tashmë ka rënë ndjeshëm”.

“Kështu që është një situatë e qëndrueshme epidemiologjike. Sistemi shëndetësor po i kthehet normalitetit të vet. Janë mbyllur pavijonet që trajtonin COVID në spitalet që u tha për COVID. Është mbyllur COVID 3 dhe COVID 4 dhe spitali i sëmundjeve të mushkërive gradualisht po i rikthehet normalitetit sa të mbarojnë procedurat që duhen për dezinfektimin dhe për ri dezinfektimin e ambienteve dhe mbylljen totalisht të pacientëve rëndë që vazhdojnë të jenë të shtruar aty. Edhe kjo është një gjë që po kthehet në normalitet”, u shpreh Rakacolli.

Rakacolli nënvizoi se, “pandemia nuk ka mbaruar. Virusi vazhdon që të jetë, vazhdon që të mbetet sadopak rreziku i sëmundjes prej tij. Sepse vetë fakti qoftë dhe një rast, qoftë dhe 2 raste të reja në ditë tregon që virusi qarkullon. Dhe në kulturën tonë të përditshme duhet të vazhdojë të mbeten ato gjëra që ne i rekomanduam dhe u zbatuan kaq mirë nga pjesa më e madhe e qytetarëve, masat higjieno sanitare që kemi thënë, larja e shpeshtë e duarve, por sidomos respektimi i distancës fizike dhe asaj sociale”.

Mbi procesin e vaksinimit Rakacolli tha se, “është një proces që po vazhdon me ritme shumë të mira dhe po shtohet shumë mbulesa vaksinale. Po ulet gradualisht dhe fasha e personave, të cilët duhet të vaksinohen. Janë vaksinuar grupet e riskut. Është ulur mosha e grupeve të riskut. Po vazhdohet me politikën që të kenë prioritet grupe që janë më tepër të ekspozuara, në mënyrë që të vazhdojë të ruhet kjo situatë e qëndrueshme epidemiologjike që kemi që shkon në favor të jetës së qytetarëve, por edhe të përmirësimit të ekonomisë”.

Sa i përket sezonit turistik dhe protokollit të masave që duhen respektuar nga operatorët turistikë dhe turistët Rakacolli tha se, “prej disa vitesh është krijuar një eksperiencë e mirë në ofrimin e shërbimit shëndetësor pranë pikave turistike dhe janë ngritur qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orësh ku shërbejnë mjekë dhe infermierë, të cilët janë të trajnuar për t’u përballur me problemet akute që mund të hasen gjatë periudhës së turizmit”.

“Që nga vjet janë aplikuar protokollet të antikovid Të krijimit të një ndjeshmërie të njerëzve që mund të paraqesin shenja COVID dhe krijimin e atyre ambienteve të izoluara deri sa të sqarohet situata dhe të ekzaminohen këta njerëz. Këtë vit, kemi siguruar teste të shpejta. Qendrat shëndetësore verore kanë edhe testet e shpejta, që në rast se dyshohet për një rast COVID, të ekzaminohet në atë qendër shëndetësore dhe të kualifikohet është apo jo COVID”, tha Rakacolli.

“Po ashtu është bërë një protokoll nga turizmi, edhe për distancën që duhet të jetë ndërmjet çadrave dhe distancën që natyrisht është pak më e vogël sesa ajo që ka qenë vjet. Pra edhe organizmi i sezonit turistik është bërë duke marrë parasysh zbatimin e protokolleve antikovid”, shtoi Rakacolli.

Për variantin indian nëse ka ndonjë rast në Shqipëri Rakacolli tha se, “ne deri tani nuk kemi konfirmim për ardhjen ose për prezencën të këtij virusi në Shqipëri”.

E pyetur nëse do të arrihet objektivi për 1 milion vaksina Rakacolli tha se, “besoj që po. Deri tani ne çfarë kemi thënë e kemi bërë dhe patjetër që kjo them se do realizohet. Sepse janë të gjithë mundësitë. Vaksinat janë. Vaksinatorët janë. Procesi është i organizuar mirë. Vetëm nëse nuk do të duan qytetarët vetë. Gjë që s’është e vërtetë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.