Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel/ Borrell: Dialogu nuk do të jetë i lehtë, por duhet të vazhdojë

PRISHTINË, 15 qershor/ATSH/- Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Joseph Borrell, ka deklaruar se dialogu mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, por duhet të vazhdojë.

Në një deklaratë për media, para takimit sot në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian, Borrell tha se dialogu duhet të vazhdojë pa vonesa dhe duhet të sjell rezultate të qarta.

Ai ka inkurajuar dy palët që të vazhdojnë angazhimin e tyre në këtë proces.

“Sot, në bashkëpunim me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojmë një takim të nivelit të lartë në dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Jam i lumtur që po ndodh një gjë e tillë në momentin që Bashkimi Evropian do të zhvillojë takim me presidentin amerikan, Biden në Bruksel. Është kënaqësi të presim në Bruksel presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës së tyre në Bruksel në fund të prillit. Në këtë moment, I inkurajojmë të vazhdojnë të takimet e dialogut pa vonesa dhe të sjellin rezultate të qarta, pavarësisht krejt vështirësive. E di se dialogu nuk do të jetë i lehtë, por ky proces me angazhimin e dy palëve është i nevojshëm për të mirën e njerëzve në Kosovë dhe Serbi. Ta bëjmë të qartë se dialogu është më i miri për të ardhmen evropiane të dy vendeve. Në ndërkohë, ai ka sjellur rezultate të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Do ta marr vetëm një shembull integrimi i Policisë së Kosovës dhe sistemit të drejtësisë në Veri në sistemin e Kosovës, si dhe anëtarësimin dhe pjesëmarrjen në organizata dhe iniciativa regjionale dhe ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas Borrell, ky është një moment i ri për dialogun, prandaj duhet të shfrytëzohet.

“Unë dhe Bashkimi Europian kemi investuar që të shohim progres të shpejtë që më në fund t’i lamë pas të këqijat dhe të arrijmë një marrëveshje ligjore për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ta bëjmë realitet të ardhmen evropiane. Ky është një momentum i ri për dialogun, andaj duhet ta shfrytëzojmë atë. Është një momentum i ri për tërë rajonin andaj duhet të shohim të gjitha mundësitë, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin, sepse marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e tërë rajonit, për stabilitet afatgjatë, për progres ekonomik. Do të vazhdojmë dialogun me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti, të cilët do t’i pres në Bruksel, andaj shpresoj shumë se do të kemi një takim efektiv”, deklaroi ai tutje.

Gjatë ditës së djeshme, KosovaPress ka raportuar për agjendën e takimeve të sotme në Bruksel.

Borrell, në orën 10:30, do të ketë takime bilaterale, te ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00.

Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak./KosovaPress

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.