Shkarkimi i Metës/ Spiropali: Çliruam institucionin e Presidentit nga paligjshmëria dhe antishteti

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh sot për shkarkimin e Metës se, Kuvendi çliroi institucionin e Presidentit të Republikës nga paligjshmëria dhe nga antishteti.

“Ishte një detyrë e bërë mirë, ne e çliruam Institucionin e Presidentit të Republikës nga paligjshmëria dhe nga antishteti. Mos u takofshim më sepse nuk është e këndshme për deputetë të Kuvendit të shkarkojnë Presidentin e Republikës, por ai nuk ishte më Presidenti i Republikës, ishte thjeshtë Ilir Meta”, tha Spiropali gjatë një interviste televizive.

“Vullneti i parlamentet u shpreh me 104 vota. Ne miratuam raportin e Komisionit Hetimor të Kuvendit dhe votuam shkarkimin. Sigurisht ne e kishim të qartë që nuk ishte vetëm në dorën tonë shkarkimi i Presidentit, ama ne bëmë gjithçka ishte e mundur dhe gjithçka kishim në dorë në mënyrë që Ilir Meta të mos ishte më Presidenti i Republikës, sepse përdhosi Kushtetutën dhe deformoi misionin e tij. Të flasësh sot për të është e kotë. Ne e shprehëm me votë qëndrimin tonë”, tha Spiropali.

Spiropali shtoi se, “Meta të gjitha shkeljet e rënda të Kushtetutës i ka konsumuar sipas atij raporti që ne kemi bërë publik. Ai ishte arsyetimi ynë ligjor dhe vendimi ynë politik me votë. Pra u shpreh dhe vullneti i Kuvendit me 104 vota. Sigurisht i takon tani Gjykatës Kushtetuese që ta shqyrtojë atë raport, atë vendim, por besoj se ishte e kopsitur në detaje dhe nuk ka sot besoj një shqiptar që nuk e kupton që presidenti nuk bëri një gabim, por i bëri të gjitha gabimet. Nuk bëri një shkelje, por i bëri të gjitha shkeljet e rënda që mund të bëjë një President Republike për t’u shkarkuar”.

E pyetur për bashkëpunimin me opozitën  për zgjedhjen e Presidentit të ri të republikës, Spiropali se, “ne jemi të gatshëm të marrim prej tyre opsione, të diskutojmë emra, të diskutojmë parimisht kriteret që duhet të plotësojë Presidenti i ri i Republikës, që të mos kthehemi tek kjo praktikë e vjetër ku Presidenti i Republikës bëhet pjesë e lojë politike në mënyrën më të shëmtuar të mundshme apo ku Presidenti merr role që nuk i ka. Besoj që edhe opozita tashmë e ka mbërritur pjekurinë për të dashur në atë karrige të lartë dhe në atë pozicion shumë dinjitoz të Kreut të Shtetit një njeri të pandikuar. Dhe si emrat si kriteret janë në rregull për ne”.

“Ne kemi një mandat të tretë shumë të rëndësishëm që për ne është më i rëndësishëm se politika e ditës. Madje është një mandat që do të përcaktojë besoj fatin e kësaj dekade, për Shqipërinë, për zhvillimin , për ekonominë, për marrëdhëniet tona ndërkombëtare, për raportin tonë me BE-në dhe hapat që ne duhet të ndjekim. Me dhënien e datës së re për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, fillon një kapitull krejt tjetër i integrimit, ku duhet të ketë konsensus politik, ku duhet të ketë pjekuri politike”, theksoi Spiropali.

Sa i takon pretendimeve të opozitës për parregullsitë e zgjedhjeve të 25 prillit, Spiropali u shpreh se, “ne po presim raportin përfundimtar të ODIHR. Raporti paraprak prek disa çështje. Por nuk ka asnjë dyshim mbi legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve dhe fituesin. Jo vetëm sepse DASH apo OSBE në tërësi apo BE kanë uruar fituesin, por edhe sepse vetë opozita e dalë nga këto zgjedhje ka pranuar mandatet duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve”.

Për krimet zgjedhore Spiropali tha se, “ka rreth 30 çështje ne SPAK. Ne dëgjuam dhe dje një raport të kreut të SPAK në Kuvend ku vëmendje të veçantë i kushtohet krimeve zgjedhore. Nuk ka asnjë mbrojtje politike për këdo që mund të ketë shkelur ligjin në territor. Ashtu si ne po presim raportin e ODIHR-it për të nënvizuar çështje të cilat duhet të merren në konsideratë në të ardhmen. Por, nuk vihet në dyshim,  në asnjë moment legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve dhe fituesi, në shumicë të padiskutueshme i këtyre zgjedhjeve”. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.