Rruga Palasë-Dhërmi, vepër strategjike për turizmin në rivierën e Jonit/ ARRSH: Janë kryer 18 % e punimeve

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Puna për ndërtimin e segmentit rrugor Palasë-Dhërmi me gjatësi 4.45 km, pjesë e aksit Orikum-Himarë, një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit, po vijon me ritme të larta.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se deri tani janë kryer 18 % e punimeve.

“Po punohet për ndërtimin e veprave të artit, tombino rrethore dhe bokse dhe gërmimin e trupit të rrugës. Kanë përfunduar punimet për gërmimin në bazamentet e pilave të urës me gjatësi 109 m, si dhe është kryer mbushja e trupit të rrugës nga km 0-480”, bën të ditur ARRSH.

Në këtë projekt, përveç plotësimit me sinjalistikë veprave të artit, është parashikuar edhe ndërtimi i disa rrugëve sekondare për aksesimin e zonave turistike të banuara.

Aksi i ri do të zgjerojë segmentin aktual të kësaj gjurme dhe do ta përshtasë që të ketë akses me daljen e Tunelit të Llogorasë.

Në total ndërtimi i rrugës do të kushtojë 16 milionë dollarë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.