Prodhimet “Made in Albania” në panairin e vendeve të Europës Lindore dhe Qendrore në Kinë

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Produktet markë shqiptare, të verës, birrës, vajit të ullirit, ujit mineral, mjaltit etj, u prezantuan në Panairin Ndërkombëtar të Mallrave të Konsumit për vendet e Europës Lindore dhe Qendrore në Kinë, që u çel në qytetin Ningbo, nga data 9-11 qershor 2021.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Frida Krifca u shpreh se, “vera e Kantinës Arbri – prodhuar në Rrëshen, vaji i ullirit Musai – prodhuar në Vlorë, marrin pjesë denjësisht dhe ngrenë kureshtje në Panairin Ndërkombëtar të Mallrave të Konsumit për vendet e Europës Lindore dhe Qendrorë në Kinë”.
Sipas saj, këto dy sipërmarrje, janë marka shqiptare model që janë rritur e forcuar edhe falë mbështetjes së AZHBR-së, teksa vlerëson se ky event i rëndësishëm, i shërben mundësisë së zgjerimit të tregjeve, nxitjes së bashkëpunimit dhe eksporteve shqiptare në tregun e Kinës.
Gjatë samitit të udhëheqësve Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore të organizuar në shkurtin e sivjetshëm, Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës dhe Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë nënshkruan dy protokolle për inspektimin dhe kushtet sanitare të karantinës për eksportimin përkatësisht të mjaltit dhe produkteve të bulmetit nga Shqipëria në Kinë. Pas zhvillimit të suksesshëm të bisedimeve në internet në prill të këtij viti për tregtinë e produkteve bujqësore, dy vendet po nxitin arritjen e marrëveshjes edhe për kontrollin dhe karantinën e produkteve të tjera shqiptare në Kinë.
Ekspozita ishte një mundësi e mirë, pasi një nga produktet që u ekspozua ishte mjalti, i cili është pjesë e këtij protokolli.

Shkëmbimet tregtare midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore janë rritur në mënyrë të qëndrueshme vitet e fundit. Vjet, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe i kaloi për herë të parë 100 miliardë dollarët amerikanë, 8.4 % më shumë në krahasim me vitin 2019, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti u rrit me 50.2 %, 11 pikë përqindjeje mbi nivelin mesatar të rritjes së tregtisë së jashtme të Kinës.

NË ekspozitën e 2-të Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore morën pjesë mbi 2000 kompani ekspozuese dhe më shumë se 6 000 blerës.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.