Pogradec/ Rikthehet pas 5 vitesh shkëputje festivali i kukullave

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Festivali i famshëm i kukullave në Pogradec “Xinxifilo” rikthehet sërish pas 5 vitesh shkëputje për spektatorët dhe sidomos fëmijët.

Qendra Kulturore Lasgush Poradeci tashmë ka çdo gjë gati për të vënë në skenë të gjitha shfaqjet që do të jenë pjesë e festivalit 4 ditor në qytetin liqenor.

Por ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit pjesë e festivalit do të jenë vetëm trupat teatrore të Shqipërisë.

Eritan Kamolli, drejtor i Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, tha se “festivali ka krijuar tashmë një traditë. Këtë vit do të ketë një pjesëmarrje kombëtare nga trupa e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Vlorës, Beratit e Gjirokastrës”.

Sipas tij, festivali e çel siparin me trupën e Pogradecit dhe fëmijët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqet çdo ditë gjatë katër ditëve të këtij eventi, nga ora 10:00 e paradites dhe ora 17:00 e pasdites.

“Shfaqet janë me tematika të ndryshme me aspekte edhe nga jeta e përditshme, që do të tërheqin vëmendjen dhe kureshtjen e vogëlushëve”, – tha Kamolli.

Ndërsa Burinilda Shkurti, një nga aktoret e cila ka qenë pjesë e festivalit në 15 edicione dhe rikthimi i këtij festivali është një emocion i veçantë.

Shkurti tha se ndihej e emocionuar dhe njëherazi e gëzuar që rikthehen në skenë me shfaqje kushtuar fëmijëve.

“Xinxifilo” është një festival kukullash i cili ndër vite ka bërë bashkë trupat e aktorëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Ballkani, këtë vit për shkak edhe të pandemisë nuk u arrit që këto trupa të ribashkoheshin.

Festivali starton mbrëmjen e 16 qershorit.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.