Nënshkruhet marrëveshja tripalëshe antikorrupsion/ Gjonaj: Projekt inovativ në shkolla

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ambasada italiane në Tiranë nënshkruan sot marrëveshjen tripalëshe që do të sjellë pilotimin e një projekti inovativ didaktik-edukativ antikorrupsion, i cili do të zbatohet fillimisht në shkolla të përzgjedhura duke filluar nga shtatori i 2021-shit, dhe më pas do të zbatohet në nivel kombëtar.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, ndërsa shtoi se, “sot i dhamë rrugë një bashkëpunimi të ri në një fushë e cila është në krye të prioriteteve të qeverisë shqiptare, lufta kundër korrupsionit”.

“Jam besimplotë se është një iniciativë që do të promovojë integritetin në shoqëri dhe në komunitet, pasi për të krijuar një kulturë të qëndrueshme antikorrupsion gjithçka fillon nga edukimi i fëmijëve tanë”, tha Gjonaj.

Sipas saj, “kjo marrëveshje është vetëm hapi i parë i një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave më të mira lidhur me edukimin antikorrupsion”.

“Vetëm nëpërmjet edukimit të brezave të ardhshëm ne do të mund të materializojmë vizionin tonë për një shoqëri dhe kulturë integriteti. Faleminderit koleges Evis Kushi dhe ambasadorit italian, Fabrizio Bucci për bashkëpunimin”, tha Gjonaj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Evis Kushi foli për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje dhe misionin kryesor të MASR në sistemin arsimor.

“Edhe unë jam shumë e nderuar sot që kemi mundësinë të nënshkruajmë këtë marrëveshje për një projekt pilot edukativ me modul antikorrupsionin. Në fakt, misioni kryesor në shkollat tona, në të gjithë sistemin tonë arsimor, është që t’i pajisim nxënësit me njohuri dhe aftësi që nesër të bëhen jo vetëm profesionistë të mirë, punonjës të suksesshëm, por edhe qytetarë të denjë. Për këtë arsye, në shkolla tona ne përpiqemi që t’i edukojmë me vlerat më të mira njerëzore, me vlerat më të mira të qytetarisë dhe demokracisë. Sa më shpejt, në moshë të hershme t’i edukojmë këto vlera tek nxënësit tanë, aq më shumë shanse do të kemi që nesër të jetë vërtetë ata qytetarët e denjë për një shoqëri të shëndetshme”, tha ajo.

Deri më sot, vijoi Kushi, “ne në fakt i kemi në kurrikulat shkollore lëndë të tilla, siç është lënda e qytetarisë, por edhe lëndë të tjera, ku përfshihen njohuritë e luftës kundër korrupsionit dhe vlerave më të mira të shoqërisë, por jam e bindur që ky projekt dhe ky modul i ri do të japë një kontribut shtesë”.

“Italia, si një partner strategjik i Shqipërisë në shumë fusha, natyrisht edhe në fushën e edukimit, na jep një mbështetje të jashtëzakonshme, por sidomos në rrugën e integrimit drejt BE. Ne duhet të fuqizojmë jo vetëm institucionet tona, por natyrisht edhe shoqëria duhet të përshtatet me vlerat më të mira demokratike dhe njerëzore”, tha ajo.

Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci deklaroi se, “lufta ndaj korrupsionit mbetet një përparësi për të gjitha vendet demokratike. Korrupsioni, para se të jetë një fenomen gjyqësor, është një fenomen kulturor, krijon një taksë të fshehtë që u ngarkohet shtetasve, sjell një përdorim jo efikas të burimeve publike dhe minon besimin e shtetasve në institucione. Kjo marrëveshje ndjek nisma te tjera që Italia ka ndërmarrë në Shqipëri në sektorin gjyqësor dhe synon të ndërgjegjësojë të rinjtë mbi këto tema nëpërmjet sistemit shkollor, sepse shkollat janë ato që formojnë qytetarët e së ardhmes.”

Marrëveshja do të bëjë të mundur përpunimin e një kurrikule të posaçme për shkollat shqiptare dhe realizimin e një kursi studimi pilot në disa klasa të përzgjedhura, në kuadër të një përfshirjeje të qëndrueshme të mundshme të kësaj kurrikule në sistemin shkollor shqiptar.

 

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.