Mbështetja nga IPARD/ Fermeri Adem Aliu punon për një fermë me cikël të mbyllur


TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Në Anën e Malit, Shkodër, është pozicionuar ferma blegtorale e Adem Aliut, që po punon për një fermë me cikël të mbyllur falë mbështetjes nga IPARD.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo fermë, ku sot mbarështrohen 265 krerë të imta dele të rracës franceze “Lacorn”, ndërkohë që Ademi punon për një fermë me cikël të mbyllur.

“Me mbështetjen e programit IPARD dhe skemat kombëtare, AZHBR është pranë fermerit në çdo hap”, tha Rama.

Dje ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi këtë fermë. “Synimi i tij është të krijojë një cikël të mbyllur në fermë. Me mbështetjen e programit IPARD si dhe Skemave Kombëtare do të arrijë të shtojë kapacitetin e fermës, që ia lejon infrastruktura. Prej vitesh qumështin e shet në një baxho tradicionale në Shkodër, sepse cilësia e produktit nuk ndryshon”, tha Ekonomi.

Ndërkohë, vetë fermeri vlerësoi mbështetjen e marrë nga qeveria jo vetëm me fonde për të rritur kapacitetet, por edhe përmes shërbimit veterinar.

“Ne kemi përfituar mbështetje nga qeveria për ndërtimin e stallës, përmes Skemës Kombëtare. Synojmë të kalojmë në cikël të mbyllur. Kemi kryer vaksinimin e të gjithë krerëve. Ndërsa veterinerët janë këtu në mbështetje të vazhdueshme”, thekson fermeri.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.