Mbështetja financiare/ Familja nga Malësia e Madhe ndërton fermën e dhive për furnizimin e baxhos së djathit

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Sipërmarrësit kanë kthyer sytë nga bujqësia, ku trend në rritje janë investimet në fermat blegtorale. Shumë prej fermave të mëdha, tashmë po shtohen falë edhe mbështetjes financiare që adreson qeveria për investimet në blegtori, duke ndjekur modelet më të mira që sigurojnë prodhim sipas standardeve më të mira në të gjithë zinxhirin e prodhimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë vizitës në Hot të Malësisë së Madhe, vizitoi fermën blegtorale të Luçe Hasanajt ku mbarështohen mbi 100 krerë dhi të racave “Alpine” dhe “Sana” të importuara nga Franca.

“Luçja më tregoi, se pasioni për punën ishte shtysa e kësaj nisme në të cilën janë përfshirë të gjithë anëtarët e familjes së saj”, – u shpreh Ekonomi.

“Falë mbështetjes së programeve të GIZ dhe të IPARD ajo ka ndërtuar fermën e dhive e cila prodhon lëndën e parë për baxhon e tyre të djathit ”Veleçiku””, – tha ministrja, teksa theksoi se, “në këtë sipërmarrje, ajo është mbështetur dhe asistuar nga shërbimi veterinar kombëtar”.

Produktet e saj familja Hasanaj i tregton më së shumti në restorantet e vendit.

Për këtë punishte, kujdeset djali i familjes, Gjovalin Hasanaj i cili rrëfeu se ferma në këto tre vite ka ecur mirë dhe synon të zgjerojë kapacitetet e prodhimit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.