LONDËR – BM rekruton shkencëtarë ”top sekret” për t’iu kundërvënë kërcënimeve kibernetike

LONDËR, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe po punëson më shumë shkencëtarë ”top sekret” si pjesë e përpjekjeve të saj për t’u përballur me kërcënimet kibernetike nga Kina dhe Rusia.

Gjatë tre muajve të ardhshëm do të shpallen kërkesat për punë për rreth 300 shkencëtarë për mbrojtjen, të cilët do të punojnë për Laboratorin e Shkencës dhe Teknologjisë së Mbrojtjes (DSLT), pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Fushata e rekrutimit, më e madhja në historinë 20-vjeçare të DSTL, vjen në përpjekjen e qeverisë për ta bërë Britaninë e Madhe një “superfuqi të shkencës dhe teknologjisë” deri në 2030, me aftësinë për të monitoruar dhe mbrojtur interesat e vendit.

Midis atyre që kërkohen janë shkencëtarë të specializuar në Inteligjencën Artificiale (AI) dhe hapësirën, si dhe analistë dhe inxhinierë.

Pozicione të tjera pritet të shpallen vitin e ardhshëm.

Është e kuptueshme që rolet do të përfshijnë një përqendrim në kërcënimet e ardhshme të tilla si armiqësia e shtuar dhe agresioni nga përparimet teknologjike të Rusisë dhe Kinës si dhe rreziqet që paraqiten nga krimi i organizuar, grupet terroriste dhe hakerat kibernetikë.

Lajmi vjen kur kryeministri Boris Johnson shkoi të takohej me udhëheqësit e NATO-s dhe këmbënguli se aleanca perëndimore nuk dëshironte një luftë të re të ftohtë me Kinën, e cila paraqet “sfida”.

Përpara takimit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se marrëdhëniet me Rusinë janë në “pikën më të ulët” që nga fundi i Luftës së Ftohtë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.