“Kundërshtarët e kryetarit quheshin armiq”/ Nishani: Basha, jo 81% por më pak se 30% të votave të anëtarësisë

TIRANË, 15 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani deklaroi sot se Basha ka marrë më pak se 30% të votave të anëtarësisë.

Gjatë një interviste televizive Nishani tha se, “në bashkinë Korçë kandidatë nuk kanë patur mundësi të kontrollojnë procesin, sepse nuk kishin burime njerëzore, sepse nuk ka qenë e lehtë që brenda dy javëve të gjendeshin njerëz për të gjithë Shqipërinë”.

Ai theksoi se ka pas një presion shumë të madh, demokratë që shkonin më kandidatë të tjerë konsideroheshin gati-gati armiq të partisë.

“Në Korçë Lulzim Basha ka marrë 70% të votave. Edhe një bashki tjetër që është e Bilishti, apo e Devollit, atje lista e votuesve para 3 muajsh lista e anëtarëve që votuan kundër deputetëve ka pasur 2100 anëtarë partie. Më 13 qershor kjo listë kishte 920 anëtarë, pra një përgjysmim të anëtarësisë. Është e qartë që kishte një ndjeshmëri për një bojkot masiv të procesit nga anëtarësia. Lulzim Basha ka qenë i interesuar që të ulte në mënyrë fiktive numrin e anëtarëve që merrnin pjesë në votim për të rritur në mënyrë fiktive përqindjen e votave në raport me ato që do të merrnin pjesë në votim. Nëse marrin pjesë në votim 2000 vetë dhe merr 1000 vota do të thotë se ke marrë 50% të votave. Në rast se marrin pjesë 1500 dhe ti merr 1000 vota shkon në 70%. Është një proces tërësisht problematik”, tha ai.

Nishani theksoi se, Basha nuk ka marrë 81% të votave por më pak se 30% të votave të anëtarësisë.

“Që nga dita e djeshme kur u shpall rezultati zyrtar, Basha është përpjekur të përçojë te opinioni publik perceptimin duke thënë se ai ka marrë 81% të vota në procesin zgjedhor. Në fakt, Basha ka marrë më pak se 30% të votave të anëtarësisë me shifrat dhe lista që ka bërë Basha, sepse po të marrësh lista e vërteta të anëtarësisë është më poshtë se 27-28%”, tha Nishani. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.