Kryebashkiaku Leli bllokon sallën për mbledhjen e Këshillit Bashkiak/ Tahiraj: Akt papërgjegjshmërie që cenon qytetarët e Vlorës

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Mbledhja e këshillit bashkiak të Vlorës, e parashikuar të mbahej sot, nuk u zhvillua, pasi kryebashkiaku Dritan Leli pretendon se duhet të mbahej online dhe jo në sallën e teatrit “Petro Marko”.

Në dokumentet e firmosura nga Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak, njoftohej se mbledhja për sot do të mbahej në ambientet e “Petro Markos” dhe në rend dite do të ishin diskutimet mbi shqetësimet e qytetarëve vlonjatë për problematika si pastrimi, ndriçimi apo edhe shërbimet vendore.

Në një reagim, Leli shprehet se kishte kërkuar që mbledhja të mbahej online për të respektuar protokollin antikovid.

“Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, sqaron Leli.

Në lidhje me moszhvillimin e mbledhjes së këshillit bashkiak, ku këshilltarët bashkiakë nuk janë lejuar që të hyjnë në ambientet e teatrit “Petro Marko”, ka reaguar anëtari i këshillit bashkiak, Anduel Tahiraj, i cili thekson se “në datën 1 qershor rreth 45 këshilltarë kërkuan një mbledhje jashtë radhës me temë komunikim me kryetarin e bashkisë për sa u përket problematikave në qytet”.

Tahiraj tha se këshilltarët vendosën që mbledhja të zhvillohej sot pasi vihet në fuqi edhe vendimi i Komitetit të Ekspertëve  për grumbullimet që bëhen nga 10 në 50 persona duke respektuar masat.

“Kryetari i Bashkisë, përmes një shkrese refuzoi pjesëmarrjen në këtë mbledhje me pretendimin e masave anti-Covid, por ky është një pretendim qesharak sepse po i njëjti kryetar, jo pak ditë më parë, u dha leje forcave të tjera politike, PD dhe kandidatëve të saj të zhvillojnë mbledhje në këtë sallë, jo vetëm të mbushur, por edhe duke mos respektuar masat anti-Covid”, tha ai.

“Ne si këshilltar kemi ndjekur me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sot hyn në fuqi mbledhja e 50 vetave në zbatimin e protokollit”, deklaroi Tahiraj.

“Natyrisht që sot ne si këshilltarë kemi ndjekur me përpikmëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit të Ekspertëve. Sot në datën 15 hyn në fuqi vendimi që nga 10 numri mund të shkojë në 50. Ne kemi marrë të gjithë masat që të jemi rigorozë në zbatimin e protokollit dhe të masave anti-Covid. Ky nuk është një zhvillim i ri për ne. Ne në rrugë partiake dhe institucionale i kemi shprehur shqetësimet tona kryetarit të Bashkisë duke i dhënë mundësinë edhe të reflektojë, gjë që nuk ka ndodhur. Ndaj sot jemi në këtë ballafaqim publik. Qëllimi i kësaj mbledhje është që ne si organ i zgjedhur i përfaqësuesve të qytetarëve të Vlorës, kemi përgjegjësinë morale, por edhe institucionale të mbështetin qytetarët e Vlorës në zgjidhjen e problematikave të tyre. Natyrisht shqetësimet tona prej shumë kohësh kanë qenë në vesh të shurdhër. Kryetari i Bashkisë e ka humbur mbështetjen e PS, por edhe besimin e qytetarëve të Vlorës. Kjo na ka bërë dhe ne si këshilltarë bashkiakë të marrim në dorë fatet e qytetit duke ushtruar të gjithë të drejtat që na jep ligji si këshilltarë dhe të gjithë detyrën tonë për të ndihmuar dhe ushtruar presion që ato çka në Vlorë nuk po bëhen, sezoni turistik duhet të jetë në nivelin e duhur, punët publike në Vlorë duhet të jenë në nivelin e investimeve të qeverisë, kjo është dhe detyra jonë, që ne të bëjmë që puna e pushtetit vendor të jetë në nivelin e duhur”, deklaroi Tahiraj për mediet.

Sipas tij, kryetari i bashkisë nuk mund të dalë kundër qytetarëve.

“Ne do të ndjekim të gjithë hapat ligjorë dhe instrumentet që do t’i shërbejnë qytetarëve të Vlorës, që natyrisht hapi i parë do të jetë ngritja e grupeve të monitorimit për të gjithë ecurinë e punëve në bashkinë Vlorë”, – tha Tahiraj.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.