Kim publikon foton e Piramidës/ Nga kremtim cinik i diktaturës, në një inkubator për inovatorët

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka publikuar një foto të Piramidës në Tiranë ku thekson se, ajo u ndërtua nga diktatura dhe shfaqej si simbol i të kaluarës të errët, ndërsa sot po kthehet në inkubator për inovatorët.

Kim shpërndau gjithashtu shkrimin e prestigjiozes britanike “The Economist” për transformimin e Piramidës së Tiranës.

“Piramida u ndërtua si një kremtim cinik i diktaturës, që shfaqej për një kohë të gjatë si një simbol i së kaluarës së errët. Tani, ajo po kthehet në partneritetin SHBA – Shqipëri – në një inkubator për inovatorët, në mënyrë që Shqipëria më e mirë dhe më e ndritshme të formojë një të ardhme të re”, shprehet Yuri Kim në Twitter.

Prestigjiozja britanike “The Economist” i ka kushtuar një artikull transformimit të Piramidës, e cila po shndërrohet në një hapësirë për teknologjinë digjitale.

Në artikullin e “The Economist” thuhet se, “në ndërtesën më të famshme të Tiranës dëgjohen goditje të forta çekanësh, teksa punëtorët diç po bëjnë në majë të saj. Pas disa vitesh e braktisur, Piramida e Tiranës po restaurohet, për t’i dhënë një qëllim të ri.

Diktatori Enver Hoxha ndërroi jetë 3 vjet para se Piramida të përfundonte në 1988. Por, asokohe simbolika e ishte e qartë: Enver Hoxha ishte faraoni shqiptar dhe Piramida – e projektuar nga e bija dhe dhëndri i tij – do të qendronte si monument i veprave te tij. Por, pas rënies së komunizmit në 1991, Piramida u mbyll.

Që prej asaj kohe, Piramida ka shërbyer për zhvillimin e panaireve të ndryshme, pastaj si disko e quajtur “Mumja” dhe si bazë e NATO-s gjatë luftës së Kosovës.

Ndërsa tani, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se teksa historia ka nevojë të kujtohet, ndërtesa duhet të ketë një qëllim dhe kuptim të ri. Kur të rihapet, Piramida do ketë hyrë në epokën digjitale, duke u shndërruar në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit, që do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.