KfW financon 100 milionë euro për sistemin elektroenergjetik

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Qeveria shqiptare dhe KfW nënshkruan sot marrëveshjen për financimin e një fondi prej 100 milionë eurosh për sistemin elektroenergjetik shqiptar.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, Björn Thies, në praninë edhe të ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministrja Denaj u shpreh se sektori energjetik në Shqipëri dhe reformimi i tij mbetet prioritet në reformat strukturore të ndjekura për ekonominë. Ndaj vijoi ajo, dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është në zbatim të planit strategjik për reformimin e sektorit të energjisë në Shqipëri.

Sipas Denajt, ky plan strategjik përmban një sërë masash me qëllim krijimin e një tregu të organizuar sipas modelit të Bashkimit Europian, i cili bazohet në çmime konkurruese dhe udhëhiqet nga parimet e të qenit transparent, jo diskriminues dhe i qëndrueshëm.

Marrëveshja e huasë prej 100 milionë euro, shtoi ajo, është një mbështetje e madhe për të përmirësuar proceset e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri.

“Qeveria ka marrë zotimin që të vijojë punën prej disa vitesh tashmë, një punë e cila ka disa rezultate konkrete, duke bërë realitet të plotë funksionimin e Bursës së Energjisë apo ndryshe APEX dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues të energjisë”, tha Denaj.

Ministrja vlerësoi se sektori i energjisë do të jetë prioritet strategjik edhe në mandatin e tretë qeverisës, vazhdimësi e reformës së nisur edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf vlerësoi se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare janë mbresëlënëse. Përmes kësaj marrëveshjeje, tha ai, qeveria gjermane mbështet reformën e transformimit të tregut të energjisë në Shqipëri, që është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, pasi synohet të krijohet një treg transparent që do nxisë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe do të lehtësojë investimet e sektorit privat në tregun e energjisë.

Një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe KfW e konsideroi marrëveshjen edhe drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, Björn Thies.
Energjetika, tha ai, është një sektor me rëndësi në kuadër të këtij bashkëpunimi. Sipas tij, me nënshkrimin e marrëveshjes hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit të përbashkët.

Huaja me terma të butë prej 100 milionë euro ka një maturim prej 12 vjet, duke përfshirë periudhën prej 3 vitesh pa pagesë principali.

Vlera e angazhuar nga KfW për financimin e projekteve me anë të kredive është 678.59 milionë euro, ku peshën më të madhe e zënë investimet në sektorin e energjisë me 45.44 %, në sektorin e ujësjellës kanalizimeve me 41.37 % dhe në sektorë të tjerë me 13.19 %.

Nga 48 kredi të nënshkruara, 39 janë kredi shtetërore dhe 9 janë kredi të garantuara nga qeveria shqiptare, 36 kredi janë disbursuar plotësisht, 11 janë në proces disbursimi dhe 1 nuk është bërë efektive. 2 kredi janë ripaguar plotësisht, ndërsa të tjerat vijojnë të shlyhen në përputhje me marrëveshjet përkatëse. Aktualisht, KfW financon 11 projekte nëpërmjet 12 kredive, 2 prej të cilave të garantuara.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.