Hidhen në treg kartëmonedhat e reja 1 mijë lekë dhe 10 mijë lekë

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Banka e Shqipërisë prezantoi sot dy prerje të reja të kartëmonedhave shqiptare, të cilat dalin zyrtarisht në treg duke nisur nga 30 qershori 2021.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në ceremoninë e organizuar me këtë rast u shpreh se, “BSH prezanton sot prerjet e reja të 1 mijë lekëshit dhe 10 mijë lekëshit, ku kjo e fundit është një prerje krejtësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare”.

Sejko theksoi se, hedhja në treg për herë të parë në treg e kartëmonedhës 10 mijë lekëshe përfaqëson në vetvete shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe tregues të tjerë, që lidhen me trajtimin e parasë.

“Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe sipas të gjitha analizave, plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë dhe më efikas të parasë së gatshme, duke ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim, duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, dhe në këtë mënyrë, duke rritur efikasitetin e Bankës së Shqipërisë në administrimin e parasë fizike dhe emisionit. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit efikasitetin e Bankës së Shqipërisë edhe për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm, për të përballuar raste të rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për para fizike”, – tha Sejko.

Guvernatori theksoi se, “pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si p.sh. ato elektronike, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës, i cili pasqyron kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë për para fizike si mjet pagese. Banka e Shqipërisë planifikon me kujdes për të garantuar plotësimin e kësaj kërkese të tregut, si në situata normale ashtu edhe në ato jotipike. Edhe situata më e fundit e pandemisë COVID-19, është një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe, ka rezultuar një rritje shtesë e kërkesës së ekonomisë për para fizike. Kështu gjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë ose rreth 3 herë më shumë se rritja e shënuar gjatë vitit 2019. Gjithashtu, edhe në 5 muajt e parë të vitit 2021 është shënuar një rritje prej rreth 10 miliardë lekësh. Plotësimi i kërkesës së tregut për para fizike është mbështetur nëpërmjet sigurimit dhe planifikimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cili jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen”.

Më tej, Guvernatori Sejko përmendi disa veçori të këtyre kartëmonedhave të reja, duke u shprehur se “kartëmonedha 1 mijë lekë del me një dizajn të rifreskuar, duke pësuar ndryshime që lidhen me të gjitha elementët në tërësi. Kartëmonedha 10 mijë lekë mban simbolet e identitetit tonë kombëtar, shoqëruar me autorin e Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni).

Kartëmonedha 1 mijë lekë ka të integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, ndryshon ngjyrë në kënde të ndryshme shikimi, si dhe shiritin e ndritshëm në pjesën e pasme. Kartëmonedha e re 10 mijë lekë ka të integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, hologramën e shoqëruar me efekte të ndryshme optike”.

Në vitin 2019, Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave, e cila përbëhet nga 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10000 Lekë.

Seria e re paraqitet me një dizajn të rifreskuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë, me standarde të kartëmonedhave të vendeve më të përparuara. Kjo seri është prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, me elemente të reja sigurie, duke i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit.

Dy prerjet e para të serisë, 200 dhe 5000 Lekë, 2 vjet pas prezantimit dhe hedhjes në qarkullim me sukses në shtator të vitit 2019, janë mirëpritur nga publiku dhe kanë përmbushur pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë.

Nga 30 qershori 2021, kartëmonedhat e serisë së re 1000 Lekë dhe 10000 Lekë do të kenë kurs ligjor në Republikën e Shqipërisë dhe do të përdoren si mjet pagese, së bashku me kartëmonedhat ekzistuese.

Banka e Shqipërisë inkurajon gjithë përdoruesit të jenë shumë të përgjegjshëm në trajtimin e çdo kartëmonedhe që mbajnë në dorë, për të ruajtur jetëgjatësinë, cilësinë dhe integritetin e tyre.

Deri tani, kartëmonedha me vlerën më të madhe në vendin tonë ishte ajo prej 5 mijë lekësh.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.