Gramsh/ Rikonstruktohet rrjeti i ujit të pijshëm, 24 orë ujë në çdo lagje të fshatit Skënderbegas

TIRANË, 15 qershor /ATSH – I. Vata/ Në bashkinë Gramsh vazhdon puna për rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrjetit të ujit të pijshëm në çdo lagje të fshatit Skënderbegas.

Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, i cili ka inspektuar sot punimet.

“Së bashku me deputetin e zgjedhur të Gramshit, Besian Ajazi inspektuam sot punimet për rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrjetit të ujit të pijshëm në çdo lagje të fshatit Skënderbegas, një premtim i mbajtur ndaj banorëve të kësaj zone, i cili do të bëjë të mundur jo vetëm furnizimin me 24 orë ujë të banorëve, por dhe rritjen e cilësisë së tij”, shprehet ai.

Taçe shton se “me investime të tilla që shërbejnë në përmirësimin e jetesës së banorëve ne vazhdojmë me punë të bëjmë më të mirën e mundshme për Gramshin që duam”.

Rikonstruksioni i rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në fshatin Skënderbegas bëhet nga bashkia Gramsh. Vlera e investimit është 22.779.183 lekë dhe afati i përfundimit është 90 ditë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.