Prokuroria e Përgjithshme përfundon verifikimin për kryebashkiakun e Mallakastrës/ Reagon PD

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Prokuroria e Përgjithshme informoi sot KQZ-në në përgjigje të kërkesës së kësaj të fundit lidhur me pastërtinë e figurës së kryetarit të bashkisë Mallakastër, Qerim Ismail Ismailaj.

Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përfundoi verifikimin për subjektin vetëdeklarues Qerim Ismailaj dhe ia përcolli organit kompetent, në këtë rast Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit, për të shqyrtuar nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve dhe në vijim dhe të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në ligj.

Sipas rezultateve të verifikimit në lidhje me subjektin Qerim Ismail Ismailaj, Prokuroria e Përgjithshme informon se rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale nga autoriteti gjyqësor i huaj.

Referuar vendimit të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë rezulton se i akuzuari Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim), është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të “Konfliktit”/”Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale të “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90/1 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila parashikon dënim me gjobë.

Sipas prokurorisë, Qerim Ismailaj nuk rezulton të ketë bërë ndërhyrje në gjendjen civile.

Bardhi: Lajm i mirë

“Sot kemi një lajm të mirë! Një tjetër burgaxhi i Edi Ramës do të largohet nga qeverisja. Megjithëse me 1 vit e gjysmë vonesë, u provua vërtetësia e qendrimit të Partisë Demokratike se Kryebashkiaku ilegjitim i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është i dënuar me burg në Greqi dhe se ai e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”, u shpreh sot Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Bardhi tha se “Qerim Ismailaj është produkt politik i Edi Ramës, njësoj si mbi 20 kriminelë të tjerë që ai i futi në parlament, i emëroi në bashki dhe vazhdon me ta bashkëqeverisjen për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve dhe bashkë me to, edhe votën e tyre”.

“Megjithatë, përballë të vërtetës, Edi Rama është i pafuqishëm për të mbrojtur kriminelët që e sollën në pushtet. Herët apo vonë, edhe ai vetë do të përballet me drejtësinë! E vërteta vonon, por nuk harron”, tha Bardhi.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.