BRUKSEL – Liderët e NATO-s angazhohen për të kontribuar me më shumë fonde

BRUKSEL, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Të 30 aleatët e NATO-s u zotuan se do të shpenzojnë më shumë para në samitin e Brukselit, por ende nuk kanë specifikuar se sa do të rrisin buxhetin e tyre të parandalimit dhe mbrojtjes, një element kryesor i një plani për të reformuar paktin e mbrojtjes së ndërsjellë 72-vjeçare.

Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit thanë se ”ambicia e tyre e përbashkët kërkon burime të përshtatshme përmes shpenzimeve të mbrojtjes kombëtare dhe fondeve të përbashkëta”.

“Ne jemi dakord të rrisim këto burime, duke përfshirë nëse është e nevojshme, financimin e përbashkët të NATO-s nga 2023, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë, mundësinë e arritjes dhe llogaridhënien”, vazhdon deklarata.

”Kërkesat e sakta për financime të mëtejshme deri në vitin 2030 do të përpunohen vitin e ardhshëm”, sipas njoftimit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e mirëpriti nismën dhe theksoi se ”e gjithë kjo do të thotë ndarje më e drejtë e barrës në të gjithë aleancën dhe ne duhet ta mbajmë këtë moment për të bërë më shumë së bashku”. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.