Braçe paralajmëron grumbulluesit dhe eksportuesit: Evidencë të përditshme nga dogana, mos abuzoni me çmimet

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe u ka kërkuar sot grumbulluesve dhe eksportuesve të produkteve bujqësore në vend që të mos abuzojnë me çmimet, me të cilat ata mbledhin produktet bujqësore te fermerët, e konkretisht shalqirit.

Kërkesa e Braçes u bë për të mbrojtur fermerët të cilët shpesh ndodh që për shkak të çmimit të ulët që u ofrohet për produktet e tyre nuk arrijnë të nxjerrin as shpenzimet e kryera.

“Prodhimi është i mbarë në të gjithë Myzeqenë, mundi e djersa e bujqve është shpërblyer me produkt. Tani duam të shpërblehet me të ardhura sipas punës e shpenzimeve të kryera”, tha Braçe.

Braçe tha se ka analizuar çmimet ne eksport dhe ato në tregjet ku produktet shqiptare eksportohen dhe sipas tij, këto të dhëna nuk sugjerojnë ulje të çmimit të produkteve nga fermerët.

“Më lejoni t’u bëj me dije grumbulluesve dhe eksportuesve në Muzeqe, dhe të gjithë Lushnjës. Po marr evidencë të përditshme nga dogana për çmimet në eksport, si dhe për çmimet në tregjet ku po eksportojmë. Çmimet në eksport, sipas faturave në doganë nga 1 qershori deri dje në mbrëmje janë nga 5 deri në 19 lekë më shumë nga çmimi me të cilin paguhen bujqit për shalqirin. Pra grumbulluesit dhe eksportuesit po shpërblehen më së miri”, u shpreh zv/kryeministri.

Pra, shton ai, është tërësisht e papranueshme që çmimi aktual i shalqirit në Myzeqe të ulet.
“Nëse ndodh është spekulim i pastër dhe tallje me produktin, mundin e djersën e bujqve. Për mua ekonomikisht çmimi nuk ka arsye të ulet”, theksoi Braçe.

Ai shprehet se do të publikojë emrat dhe çmimet e kompanive eksportuese të këtyre dy javëve nëse ndodh që çmimi i shalqirit te bujqit do të ulet padrejtësisht.

“Nëse ndodh që çmimi i shalqirit te bujqit do të ulet padrejtësisht. çdo ditë në mëngjes do publikoj faturat në doganë të çdo eksportues, transparencë e plotë”, deklaron ai.

Ndërkohë, bën të ditur Braçe, ky informacion do t’i shkojë edhe organeve tatimore për gjithçka, nga fitimi deri te rimbursimi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.