Autoriteti i Konkurrencës hap hetim të thelluar në tregun e plehrave kimike

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka vendosur të hapë hetim të thelluar në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike.

Në një njoftim për shtyp, AK bën të ditur se objekt hetimi do të jenë ndërmarrjet Arli Internacional, Agro Blend, MBM, Eco-Green, Lila, Agro-Mens, Çaça, IAM, Agrohelp-sa dhe Besniku.

“Hetimi i thelluar vjen në vijim të procedurës së hetimit paraprak, që u vendos në muajin mars të këtij viti dhe do të përfshijë periudhën kohore 1 janar 2020 deri 30 shtator 2021”, thekson AK.

Duke u nisur nga rëndësia që kanë produktet plehëruese për fermerët në plehërimin e tokës dhe kultivimin e bimëve, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se për analizën e këtij tregu janë marrë parasysh tre produktet kryesore të cilët përdoren në ciklin e bimës si: DAP (Hidrogjenortofosfat diamoni) përdoret gjatë plehërimit të tokës bujqësore kur mbillet bima. Ky produkt ka përdorim sezonal kryesisht në 6-mujorin e parë të vitit. Ndërkohë, nitrati dhe ureja përdoren gjatë rritjes së bimës, kryesisht gjatë gjithë vitit.

Nga analiza e çmimit mesatar të shitjes së produkteve DAP, nitrat dhe ure nga ndërmarrjet objekt hetimi vërehet se gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 ka pasur një tendencë rritjeje të çmimit mesatar të shitjes me shumicë, duke aplikuar çmime të përafërta dhe duke alternuar shitjet e produkteve sipas nevojave të tregut në periudhën përkatëse.

Sipas AK, kjo sjellje e ndërmarrjeve reflektohet në çmime më të larta përfundimtare të shitjes dhe mund të përbëjë një sjellje të bashkërenduar, në kuptim të nenit 4 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.