145 mijë vaksina antikovid deri në fund të gushtit/ Soreca: Çdo javë më shumë vaksina Pfizer

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka shprehur mbështetjen e Bashkimit Europian për Shqipërinë në luftën me pandeminë COVID-19.

Kreu i BE-së në Tiranë theksoi se “ndihma e Team Europe për shqiptarët në betejën me COVID-19 vazhdon me më shumë vaksina Pfizer çdo javë. Ne do ta përballojmë  së bashku pandeminë”.

Pothuajse 6 mijë vaksina BioNTech / Pfizer të mundësuara nga Austria mbërritën në Tiranë natën e kaluar me dorëzimin javor të vaksinave të financuara nga BE. Numri i vaksinave do të arrijë në 145 mijë deri në fund të gushtit”, – nënvizoi Soreca.

Ai tha se “do të vazhdojmë të ndihmojmë Shqipërinë derisa të gjithë të jenë të sigurt”.

Mbrëmjen e djeshme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas mbërritën 11 700 vaksina “Pfizer”. Që nga nisja e fushatës kombëtare të vaksinimit antikovid “Shqipëria buzëqesh” në vendin tonë janë kryer 842 535 vaksinime antikovid në vend.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.