Vetingu/ KPK shkarkon nga detyra Durim Hasën, gjyqtar i Gjykatës Berat

TIRANË, 14 qershor /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur sot shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Durim Hasa, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancave dëgjimore për subjektin e rivlerësimit, Durim Hasa, vendosi shkarkimin e tij  nga detyra.

Vendimi, i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja relatore dhe Roland Ilia anëtar, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.