Tregu i sigurimit të jetës shfaq ritme rritjeje, mbetet modest kundrejt volumit

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Tregu i sigurimit të jetës shfaqi ritme rritjeje gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të prillit primet e shkruara bruto të sigurimit të jetës kishin vlerën e 392 milionë lekëve, me një rritje modeste prej gati 20 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa numri i kontratave arriti në 29,350 duke shënuar një rritje në masën 6.82 % krahasuar me janar-prill 2020.

Sigurimi i jetës, i cili ofron mbulimin me një shumë monetare (shuma e sigurimit) për një përfitues të caktuar në rast të vdekjes, të mbijetesës ose paaftësisë (të përhershme apo të përkohshme) të siguruarit vazhdon të mbajë një pjesë modeste kundrejt volumit total të tregut të sigurimeve në Shqipëri, me rreth 7.3 % të primeve të shkruara bruto.

Ecuria e tregut gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti është ndikuar nga produkti kryesor, ai i jetës së debitorit. Primet nga ky produkt shënuan rritje me 90.87 % krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2020. Si një produkt i detyrueshëm, jeta e debitorit zë rreth 67.2 % të primeve totale në sigurimin e jetës.

Ky lloj sigurimi ofron mbulim në rast të humbjes së jetës së personit të siguruar për shkaqe natyrore apo aksidentale. Ky sigurim është një garanci financiare si për institucionin kredidhënës ashtu edhe për kredimarrësin (personin e siguruar), duke çliruar familjen e personit kredimarrës nga pagesa e kredisë së mbetur.

Në klasat e tjera të sigurimit vërehen rënie, ku produktet me rënien më të lartë ishin jeta e kombinuar, jeta në grup dhe sigurimi i jetës dhe shëndetit në udhëtim të ndikuara nga kufizimet në lëvizje për shkak të pandemisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.