Situata e kriminalitetit në vitin 2020/ Kryeprokurori Çela raporton në Kuvend

TIRANË, 14 qershor /ATSH – I. Vata/ Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raportoi sot në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020.

Në fjalën e tij, Çela tha se se viti i kaluar ishte mjaft i vështirë edhe për shkak të pandemisë e cila krijoi probleme edhe në funksionimin e Prokurorisë, me ndikim në uljen e performancës së prokurorive.

“Gjatë 2020 organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 58466 materiale kallëzimi, janë ndjekur gjithsej 44834 procedime penale nga të cilat 27890 janë procedime penale të regjistruara. Edhe në 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë me rreth 31.7% të procedimeve penale në shkallë vendi e ndjekur më pas nga Prokuroria Durrës dhe Elbasan”, tha ai

Duke folur për raportin e ndarjes së veprave penale, Çela tha se rezulton se 78.24% e veprave penale i përkasin krimeve. Sipas strukturës së Kodit Penal në grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruar nga ana e prokurorisë evidentohet se vjedhja e pasurisë sërish përbënë numrin me të lartë me 31.2% të numrit të përgjithshëm të veprave penale, por një ulje me 10% në krahasim me një vit më parë.

“Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë 26.46 % të numrit të përgjithshëm dhe kanë një ulje rreth 4.8% krahasuar me 2019, në kohë që veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës përbëjnë rreth 6.28% me një ulje rreth 8.38% me një vit më parë. Veprat penale kundër fëmijëve, familjes zënë rreth 4.9% të numrit total të veprave penale dhe kanë një rritje 9.91% në krahasim me vitin 2019. Gjatë 2020 nga prokuroritë e shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10 mijë procedime penale me 11530 të pandehur”, tha ai.

“Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 11741 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal. Përgjatë vitit 2020 janë ekzekutuar 2990 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 1875 vendime. Ndër vite gjithsej, janë 3820 vendime penale të mbetur pa u ekzekutuar, të cilët sipas llojit të dënimeve janë: 7 dënime me burgim të përjetshëm, 1039 vendime me burgim, 1543 vendime për dënimin me gjobë, 57 dënime plotësuese dhe 1198 dënime alternative. Gjatë vitit 2020 janë përfunduar 26169 çështje prej të cilave: 38,11 % janë dërguar për gjykim, 22,62 % janë pushuar, 35,93 % janë pezulluar. Janë dërguar 410 kërkesa për miratim urdhri penal, me 432 të pandehur. Janë dërguar 740 kërkesa për miratim marrëveshje fajësie, me 749 të pandehur, pothuaj në nivelet e një viti më parë dhe është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 252 çështje me 252 të pandehur. Gjatë vitit 2020, janë dërguar në gjykatë për pushim 4647 çështjeve prej të cilëve 2252 çështje janë pushuar për mungesë fakti, që përbëjnë 48,46 % të çështjeve të pushuara. Nga të dhënat rezulton se për 233 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me rritje 8.88 % krahasuar me vitin 2019. Gjatë vitit 2020, gjithashtu, është vendosur pezullimi i hetimeve për 9400 çështje ose me ulje prej 6,81 % e çështjeve të pezulluara në krahasim me vitin 2019. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore në vitin 2020 rezulton se janë dënuar 8022 të pandehur dhe për 152 të pandehur është dhënë vendim pafajësie. Krahasuar me 2019 ka një ulje prej 8,96 % e numrit të pandehur të dënuar dhe një ulje prej 19,15 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm”, tha ai.

Në lidhje me efektivitetin e ndjekjes penale sipas grupveprave penale me tendencë në rritje ose në ulje, Çela tha se “për veprat penale të trafiqeve të paligjshme, në vitin 2020, treguesi i efektivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 31,25 % dërguar gjyqit dhe 68,75 % të pushuara. Ndërkohë nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2020 ka një ulje prej 12,54 % në krahasim me një vit më parë. Sa i përket veprave penale lidhur me narkotikët, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 58,42 % e çështjeve janë dërguar gjyqit. Në vitin 2020 për “Krime kundër jetës të kryera me dashje” janë dërguar për gjykim 31,66 % e çështjeve. Në këtë grupveprash, duke veçuar veprën penale të kanosjes që zë 88% të çështjeve të pushuara. Për veprat penale të vrasjes me dashje 63,81 % i janë dërguar gjyqit. Efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me dhunën në familje, për faktin se 83,02 % e çështjeve janë dërguar në gjyq dhe 16,98 % e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, në vitin 2020, çështjet e regjistruara paraqesin rritje prej 9,74 % krahasuar me vitin 2019. Ecuria e kësaj vepre penale në pesë vite, tregon se është arritur ulje në masën 7,68 % në numrin e procedimeve të regjistruara në vitin 2016 krahasuar me vitin 2020. Në analizë të të dhënave, rezulton se: Profili i të pandehurve: 92,71 % janë meshkuj madhorë, 59,87 % janë me arsim deri 9-vjeçar, 72,49 %, janë të papunë, 2,13 % janë përsëritës për të njëjtën vepër dhe 9,33 % janë të dënuar për vepra të tjera”.

“Gjeografia sociale: numri më i lartë i procedimeve për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, është regjistruar në prokurorinë e shkallës së parë Tiranë 32 %, Politika Penale: për këtë grupveprash, 88,58 % e kërkesave të prokurorit për masa sigurimi lidhen me caktimin e masave të sigurimit me arrest dhe nga gjykata në 85,29 % të kërkesave është vendosur masë sigurimi me arrest. Lufta kundër pastrimit të parave, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore, për vitin 2020 ka qenë objektiv prioritar institucional. Për arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm synimi ynë ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional me autoritetet vendase e të huaja, dhe jo vetëm. Në këtë kuadër, më 15 korrik 2020, me iniciativën e Prokurorit të Përgjithshëm, në bashkëpunim me Ministrin e Brendshme dhe Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit dhe u miratua udhëzimi i përgjithshëm nr. 10 datë 17.07.2020. Këto akte të politikave ndërinstitucionale evidentojnë progresin në krijimin e një bazë solide për rritjen e efiçencës në kryerjen e gjurmimit, hetimit dhe ndjekjes penale të këtyre veprave, pasi krijuan korniza për ngritjen e seksioneve të veçanta në prokuroritë vendore, rritjen e kapaciteteve në seksionet e veçanta në drejtoritë e policisë vendore, forcimin e kapaciteteve profesionale të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe agjencive të tjera ligjzbatuese të cilëve u janë besuar trajtimi i rasteve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe u përmirësua eficienca e bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel vendor dhe qendror”, tha Çela.

“Udhëzimi i përgjithshëm i cili hyri në fuqi në 1 shtator 2020 plotësoi dispozitat e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe është një instrument për përdorimin nga prokurorët, policia gjyqësore dhe agjencitë ligjzbatuese të përfshira. Tashmë janë krijuar shtatë seksione të veçanta në prokuroritë më të mëdha dhe janë caktuar prokurorë të dedikuar në prokuroritë më të vogla për t’u përqendruar në hetimet dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave, sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve kriminale”, tha Çela.

Në vijim Çela shtoi se “rezultati i këtyre masave është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të parave të parashikuara nga nenet 287 e 287/b të Kodit Penal, pasi të dhënat statistikore tregojnë se për veprat penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, numri i procedimeve të regjistruara është rritur me 20,19 %, numri i të pandehurve të regjistruar është rritur 103,1 % dhe numri i personave të dënuar është rritur 11 % krahasuar me vitin 2019. Megjithë arritjet, ngelet sërish me nivele jo të kënaqshme efektiviteti i ndjekjes penale pasi evidentohen tregues të ulët të raportit të çështjeve penale të dërguara në gjyq krahasuar me çështjet e pushuara. Të dhëna sociale dhe demografike për të pandehurit. Nga të dhënat statistikore vërehet se në vitin 2020 rezultojnë 51,11 % e të pandehurve me arsim deri 9 vjeçar, me arsim të mesëm rezultojnë 40,08 % e të pandehurve dhe me arsim të lartë rezultojnë 9,55 % e të pandehurve. Për sa i takon gjendjes shoqërore të të pandehurve, nga të dhënat statistikore vërehet se të punësuar në sektorin shtetëror rezultojnë 4,63 % e tyre, të pandehurit e punësuar në sektorin privat përbëjnë 24,21 % të totalit, ndërkohë që 71,38 % rezultojnë si të papunë”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.