Sigurimi i depozitave, bankat paguan 29 milionë euro vitin e kaluar

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Bankat paguan prime të sigurimit të depozitave në vlerën 3.57 miliardë lekë vitin e kaluar, me një rritje me 5.8% krahasuar me vitin 2019.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, të ardhurat nga primet e sigurimit në periudhën 2009 – 2020 kanë qenë në rritje, gjë që lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e depozitave të siguruara në sistemin bankar në këto vite.

Për bankat, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.

Ligji parashikon sigurimin e detyrueshëm të depozitave të individëve dhe shoqërive tregtare në banka deri në vlerën e 2.5 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2020, depozitat e siguruara në sistemin bankar ishin 741.6 miliardë lekë, ose 5.52% më shumë se një vit më parë.

Fondi i sigurimit të depozitave bankare në fund të vitit 2020 arriti në 47.9 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10.9%. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.