Program punësimi në sistemin penitenciar/ 20 gra të dënuara do përfitojnë financiarisht pagesën

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Ministria e Drejtësisë filloi për herë të parë në sistemin penitenciar zbatimin e programit të punësimit për personat e paraburgosur dhe të dënuar, ku në IEVP 325, 20 gra të dënuara do të marrin pjesë në këtë program.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një takim me gratë e dënuara pjesë e këtij programi, tha se “ky është fillimi i një kapitulli të ri për sistemin e burgjeve, është fillimi i një programi i cili nuk është thjesht në letër, por po zbatohet dhe fillon pikërisht nga ju”.

“Jemi sot këtu për ta filluar këtë projekt me gratë, të cilat jo vetëm kanë treguar që kanë dëshirë të punojnë, por nga ana tjetër keni treguar që i keni duart e arta. Këtë e kam parë për 4 vjet me gjithë punimet që keni realizuar. Është një moment i rëndësishëm, se ne po fillojmë të jetësojmë për herë të parë në 30 vjet programin e punësimit, të koordinuar, të menaxhuar dhe të parashikuar nga ligji për të gjithë personat e dënuar dhe të paraburgosur.

Ky është vendim i rëndësishëm, pasi ju e keni parë që deri dje, para se të hynte në fuqi ligji i ri, pjesë e paketës në sistemin e burgjeve, keni pasur mundësi të punoni, por jo të paguheni. Sot me këtë program të ri që zbatohet keni mundësi të rrisni kapacitetet tuaja profesionale nëpërmjet trajnimeve profesionale, por edhe të përfitoni financiarisht pagesën e cila parashikohet nga ligji”, – nënvizoi Gjonaj.

Gjonaj shtoi se “jemi njësoj si standardet e vendeve të tjera të rajonit. Punimet tuaja nuk do të jenë vetëm pjesë e tregut shqiptar, por edhe atij të huaj”.

“Ky program do të shtrihet edhe në IEVP-të e tjera të vendit për të punësuar sa më shumë të dënuar, duke mundësuar rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre përmes punës”, – tha Gjonaj. /k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.