Portofoli i investimeve në letra me vlerë, arriti në 594 miliardë lekë në fund të marsit

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Bankat zgjeruan portofolin e investimeve në letra me vlerë gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se portofoli i investimeve në letra me vlerë arriti shumën e 594 miliardë lekëve në fund të muajit mars, me një rritje prej 29 miliardë lekë që nga fillimi i vitit. Krahasuar me një vit më parë, vlera e letrave me vlerë në bilancin e bankave tregtare është rritur me më shumë se 16 %.

Letrat me vlerë përbëjnë rreth 37 % të aktiveve totale të sektorit bankar shqiptar.

Sipas Bankës së Shqipërisë vitin e kaluar bankat i zgjeruan investimet në tituj të emetuar nga subjekte jorezidente me rreth 30 %.

Normat negative të interesit për mbajtjen e depozitave, kanë nxitur bankat që të tentojnë rritjen e përfitimeve duke investuar më shumë prej fondeve të tyre të lira në tituj. Për fondet në valutë, investimi në letra me vlerë është nxitur edhe nga zhvendosja e ndjeshme e kredisë drejt lekut, që ka krijuar më shumë likuiditete të lira në valutë të huaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.