Meta kthen në Kuvend ligjin për sektorin minerar

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Në arsyetimin për kthimin e ligjit, Meta shprehet se Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 65/2021 dhe procedurës së ndjekur për miratimin e tij në raport jo vetëm me parashikimet e Kushtetutës, por edhe me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe në mbrojtje të interesit publik”.

“Nga shqyrtimi i ligjit konstaton se, ndryshimet në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, janë miratuar përmes një procedure në mungesë të transparencës e konsultimit gjithëpërfshirës dhe këto ndryshime shkelin një sërë parimesh kushtetuese të shtetit të së drejtës, të drejta dhe liri themelore të mbrojtura nga Kushtetuta, duke rënë ndesh kështu me nenet 4, 11, 13, 56, 59, 82, 111, të saj”, thekson Meta.

“Përmes paqartësisë së ligjit nr. 65/2021, krijohen mekanizma nëpërmjet të cilave shtetit i jepet mundësia që të ndërhyjë në mënyrë disproporcionale dhe përmes një procesi të parregullt ligjor, për të ndërprerë gëzimin e të drejtave legjitime pronësore, dhe kjo, jo për një interes publik ligjërisht të justifikuar, por për favorizimin e subjekteve të tjera privatë aktiviteti i të cilëve nuk përmbush ato elementë të domosdoshëm që do mund ta konsideronin ndërhyrjen e justifikuar”, shton Meta.

“Në këtë mënyrë, nga njëra anë të drejtat legjitime mund të cenohen padrejtësisht, ndërkohë që nga ana tjetër mund të krijohen efekte negative dhe kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit, si rezultat i dëmshpërblimeve administrative apo gjyqësore që mund të prodhojë një ndërhyrje e padrejtë, jo proporcionale dhe e pamenduar objektivisht nga strukturat shtetërore”, vijon ai.

Për më tepër, shton Meta, “parashikimet e bëra në disa dispozita të ligjit, shtojnë rrezikun e që të drejtat e pronësisë private t’i nënshtrohen një regjimi shpronësimi, sipas vlerësimit dhe procedurave aspak transparente, deri antikushtetuese, duke mos siguruar zgjidhjen reale për problematikat e paraqitura nga ekzekutivi”.

“Nga përmbajtja e dispozitave të ligjit duket qartë se, qëllimi i vetëm për të cilin është kujdesur propozuesi i nismës (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshilli i Ministrave) dhe miratuesi i këtyre ndryshimeve (Kuvendi i Shqipërisë) ka qënë ai i krijimit të favorizimeve ligjore për subjekte private, që operojnë në sektorin minerar, pa vlerësuar si duhet dhe në mënyrë proporcionale të drejta të ligjshme të pronësisë që mund të cenohen”.

“Ndryshimet ligjore të propozuara me ligjin nr. 65/2021, shkelin dhe cenojnë disa parime kushtetuese si: parimin e sigurisë juridike; iniciativës dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike; parimin e decentralizimit të pushtetit vendor, proporcionalitetit, barazinë para ligjit, duke vendosur në rrezik të hapur interesin publik dhe keqpërdorimin e pasurisë kombëtare”, thekson ai.

“Në bindje të Kushtetutës kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 65/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, pasi ky ligj është hartuar, propozuar, shqyrtuar dhe miratuar në kundërshtim me parimet dhe të drejtat themelore që parashikohen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; pa një konsultim publik gjithëpërfshirës; pa transparencë; i diktuar jo për plotësimin e nevojave reale të sektorit minerar, por për favorizimin e subjekteve të caktuar që operojnë në këtë fushë, si dhe nuk përmbush pritshmëritë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për një shfrytëzim objektiv të pasurisë kombëtare që i takon të gjithëve, duke cenuar kështu, të ardhurat në buxhetin e shtetit, e rrjedhimisht me ndikim negativ në mënyrën se si përfitohen e përdoren të ardhurat e gjeneruara nga pasuria kombëtare minerare për mbulimin e nevojave të qytetarëve”, përfundon Meta. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.