Mbështetja në Bujqësi/ Fermerët drejt krijimit të ciklit të mbyllur

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Në Anën e Malit, Shkodër, është pozicionuar ferma blegtorale e Adem Aliut, që mbarështon 265 krerë të imta, dele të racës franceze “Lacorn”.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi sot këtë fermë.

“Synimi i tij është të krijojë një cikël të mbyllur në fermë. Me mbështetjen e programit IPARD si dhe Skemave Kombëtare do të arrijë të shtojë kapacitetin e fermës, që ia lejon infrastruktura. Prej vitesh qumështin e shet në një baxho tradicionale në Shkodër, sepse cilësia e produktit nuk ndryshon”, tha Ekonomi.

Ndërkohë vetë fermeri vlerësoi mbështetjen e marrë nga qeveria jo vetëm me fonde për të rritur kapacitetet, por edhe përmes shërbimit veterinar.

“Ne kemi përfituar mbështetje nga qeveria për ndërtimin e stallës, përmes Skemës Kombëtare. Synojmë të kalojmë në cikël të mbyllur. Kemi kryer vaksinimin e të gjithë krerëve. Ndërsa veterinerët janë këtu në mbështetje të vazhdueshme”, thekson fermeri.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.